IBNA Intervistë me ish deputetin demokrat Astrit Veliaj

IBNA Intervistë me ish deputetin demokrat Astrit Veliaj

INTERVISTA/ Flet ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj: “Nëse zgjedhjet do të zhvillohen si thotë Rama, atëherë jetë vetëm një skuadër në fushë dhe nuk do të luhet me kundërshtarin. Por loja ka rregullat e saj dhe Rama do që t’i thyejë ato”

“Do të rrisim presionin ndaj qeverisë. Do ta rrisim më shumë se më parë. Një hap u hodh, djegia e mandateve. Në të ardhmen do rritet forca e protestave, numri i tyre dhe ai i pjesëmarrësve”. Kështu shprehet gjatë një interviste për IBNA Media Group, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj. Sipas tij, tashmë është momenti kur duhet që kryeministri të reflektojë dhe të bëjë lëshime.

Intervistoi Albert Zholi

Dje, pesë forca politike aleate të Partisë Demokratike kanë krijuar Grupimin e Qendrës së Djathtë. Teksa Rama tha sërish se zgjedhjet do zhvillohen më 30 qershor. Mendimi juaj?

Nëse zgjedhjet do të zhvillohen si thotë Rama, atëherë do të ketë zgjedhje vetëm me një skuadër në fushë. Dhe nëse do të futet kështu, Rama nuk do të lozë me kundërshtarin, por me tifozët. Por loja ka rregullat e saj dhe ajo bëhet me dy skuadra, ndërsa tifozët mbeten tifozë. Rama do që t’i thyejë këto rregulla, këto norma dhe këto rregullore. Pra, ai nuk do të luajë me opozitën, por me tifozët që janë në stadium. Kjo nuk ka sens. Dhe shqiptarët nuk presin këtë.

Por çfarë presin shqiptarët, sipas jush?

Presin ndryshimin e madh. Shqiptarët  kanë dhjetëra vjet që luajnë me një skuadër në fushë dhe vetëm me tifozët. Ata duan të largohen nga ky model, nga ky lloj drejtimi, nga kjo mënyrë qeverisje arrogante.

Pra, vendimi i djeshëm i partive për mos hyrje në zgjedhje me Ramën kryeministër është për ju veprimi më i drejtë?

Absolutisht, po. Vendimi më i drejtë. Nuk mund të shkosh në zgjedhje me një qeveri të inkriminuar, me një kryeministër arrogant.

Pra, është shoshitur mirë që kjo ishte rruga e vetme?

Sigurisht, ishte dhe është rruga e vetme dhe më e drejtë. Nëse do shkohet me Ramën në zgjedhje, atëherë prapë do vidhen zgjedhjet.

Si do veprohet atëherë nga koalicioni opozitar në këto situata?

Do të rrisim presionin ndaj qeverisë. Do ta rrisim më shumë se më parë. Një hap u hodh, djegia e mandateve. Në të ardhmen do rritet forca, forca e protestave. Do të shtohen protestat, edhe numri i pjesëmarrësve. E keqja largohet me forcë, thotë populli, sa të mos hedhë rrënjë. Pra, jemi në momentin që ajo po hedh rrënjë dhe ne me forcë nuk do ta lëmë.

Kush është problemi më i madh i kësaj qeverie, sipas jush?

Se ka një kryeministër demagog, që bën demagogji çdo ditë.

Tashmë kemi dhe një parti të re “Bindja Demokratike”. A mendoni se ajo do jetë një opozitë reale, apo do ta ulë peshën e PD-së në elektorat?

Kjo është një parti që u shtua në numër. Një parti fare pa peshë, fare. Pse? Sepse këta nuk janë të vërtetë. Por janë artificialë. Që të fitosh autoritet dhe mbështetje, duhet që populli të ndjejë që e do dhe të jesh me hallet e tij. Çfarë të ndjejë elektorati për këtë parti? Çfarë ka bërë? Asgjë! Përse do shkojnë njerëzit pas Astrit Patozit? Çfarë do t’u ofrojë ai? Ai ka mbledhur disa qejfmbetur dhe aq.

Pra, deri më 30 qershor do të ketë zhvillime interesante?

Unë mendoj se Rama do tërhiqet, do bëjë lëshime. Besoj se Rama do e kuptojë se tashmë nuk duhet të ketë më përplasje.

Përse?

Sepse çdo përplasje ka kostot e saj. Ka kosto, që nuk janë në të mirë të askujt. Pra, është momenti që besoj se Rama do reflektojë dhe do të bëjë lëshime. Besoj se do hapë rrugë.

Kjo mbase ngaqë jemi pranë hapjes së negociatave?

Ndoshta  është dhe kjo, hapja e negociatave, që ai do bëjë tërheqje. Unë personalisht besoj shumë në një tërheqje të mundshme të Ramës. Është momenti më i mirë për të për tërheqje, sepse jemi pranë hapjes së negociatave.