IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia

IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia

Djegia e mandateve nga opozita e ka bërë politikën shqiptare edhe më të acaruar. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kryeministri Edi Rama, refuzoi kërkesat e opozitës dhe tha se do të vazhdojë të qeverisë edhe pas largimit të deputetëve të opozitës nga Parlamenti.

Në këtë situatë, vendi duket të jetë i futur në një rreth vicioz.

Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemail Qefalia, në këtë intervistë për IBNA, analizon zhvillimet e fundit.

Ditët e fundit opozita me në krye PD dogji mandatet e deputetëve. Si e shihni këtë vendim?

Kolegët e mi deputetë hodhën një hap të gabuar, një hap të nxituar dhe të pamenduar mirë. Ky hap mbase ishte dhe emocional pas protestës, por dua të them se nuk ndodh në një vend demokratik të bëhet një hap i tillë. Në një shoqëri demokratike vendi ku përcillen hallet, shqetësimet e popullit dhe të elektoratit tënd është në Parlament. Populli të ka dhënë votën që të ketë zërin e tij në Parlament. Kjo mënyrë veprimi besoj se nuk ka ndodhur në asnjë vend. Veprimi i kolegëve të mi në radhë të parë nuk është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dhe as nuk është bërë në momentin e duhur.

Po pse nuk është në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve?

Pasi ne jemi në prag të hapjes së negociatave për të aderuar në BE në qershor dhe një veprim i tillë sjell një imazh të keq në sytë e ndërkombëtarëve për këto negociata. Megjithatë, duke qenë se Shqipëria po bën hapa para me procesin e vetingut dhe me organet e reja të drejtësisë, deri në qershor do të jenë dhënë edhe rezultatet e para të reformës në drejtësi që besoj do jetë hapi i madh për hapjen e negociatave. Duke pasur parasysh këtë fakt Komisioni Evropian pritet t’i japë lajmin e mirë vendit tonë për hapjen e negociatave me BE, duke u futur kështu në një proces historik.

Po ky veprim i opozitës, a do ndikojë realisht shumë për mos hapjen e negociatave?

Besoj se do të ketë ndonjë ndikim, por nga ana tjetër besoj se deri në atë kohë do gjendet një rrugëzgjidhje. Ndikim do të ketë por jo determinues. Kjo pasi puna e qeverisë flet vetë dhe ndërkombëtarët e kanë mbështetur dhe e mbështesin këtë qeveri të ligjshme të dalë nga vota popullore. Ju e shikoni se si ndërkombëtarët po reagojnë…

Ju thatë se qeveria “Rama” ka bërë disa reforma që janë përkrahur nga BE, cilat janë këto?

Së pari më e rëndësishmja, Reforma në Drejtësi. Të gjithë ne po i shohim rezultatet, po shohim rrugën që po ecën kjo reformë. Ngritja e SPAK dhe e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë hapat më të rëndësishëm që janë kërkuar për qeverinë tonë nga ndërkombëtarët. Kjo strukturë e specializuar, e kërkuar fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe qeveria i ka dhënë mbështetje të plotë. Reforma e dytë është Reforma Administrative dhe të tjera reforma kaq shumë të domosdoshme. Për këto vite të qeverisjes mendoj se është bërë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të them se është qeveria më rezultative në vitet e demokracisë.

-Po ndryshimet e reja në qeveri si i vlerësoni?

Këto lëvizje ishin iniciativë e kryeministrit, e qeverisë dhe jo e presionit apo kërkesave të opozitës. Ato erdhën për t’i dhënë një impuls të ri punës së qeverisë. Këto ndryshime janë mirëpritur dhe po shihen rezultatet.

Mendoni se në këto kushte kur opozita ka hedhur idenë se do të vazhdojë protestat do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Nuk besoj pasi dhe vetë ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se vendi i opozitës është në Parlament. Kjo qeveri është e legjitimuar dhe ka ardhur në pushtet me votat e popullit, duke fituar bindshëm. Një qeveri që ka mandat popullor duhet ta çojë deri në fund mandatin dhe s’ka asnjë arsye që të ketë zgjedhje të parakohshme. Në të kundërt do të shënohej një precedent, pasi do t’i hapte rrugë jo të ligjshme çdo opozite në vitet në vazhdim, sa herë të dëshirojë të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Madje, po të përkrahet kjo dëshirë nga ndërkombëtarët, do bëhet si një rrugë e padrejtë edhe në vendet e tjera me demokraci të brishtë që, të kërkohen pa arsye bindëse zgjedhje të parakohshme që janë kundër një demokracie të vërtetë. Në vendet demokratike zgjedhjet e fituara me votë duhet të çohen deri në fund të mandatit. Pra nuk ka përse të bëhen zgjedhje të parakohshme kur qeveria është brenda mandatit, ka mbështetje popullore dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Por opozita thotë se do të vazhdojë protestat?

Vazhdimi i protestave është një veprim i ligjshëm në demokraci. Kushdo ka të drejtë të protestojë për diçka që e sheh të padrejtë por kjo s’ka lidhje me zgjedhjet e parakohshme. Protesta ka kudo në Francë, Itali, Greqi, Serbi… Një vend demokratik nuk mund të imagjinohet pa protesta. Por beteja politike duhet të zhvillohet edhe në Parlament.