IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Socialiste, Namik Kopliku

IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Socialiste, Namik Kopliku

Shqipëria është përfshirë nga kriza më e thellë politike e afro 30 viteve pluralizëm politik. Opozita ka djegur mandatet dhe doli nga Parlamenti ku mazhoranca po kalon të gjitha ligjet e vetme. Në Parlament kanë hyrë disa individë, të listuar në listat rezervë të opozitës dhe thonë se do të bëjnë oponencën ndaj qeverisë, por është e qartë se ato janë “kukulla” që nuk mund ta dëmtojnë aspak mazhorancën e majtë.

Zgjedhjet lokale janë afër dhe shanset që opozita të bëhet pjesë e tyre janë thuajse zero. Partia Demokratike e udhëheqësit Lulzim Basha dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që drejtohet nga Monika Kryemadhi, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie transitore dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të parakohshme bashkë me ato lokale. Kreu socialist Rama i ka refuzuar këto kërkesa dhe thotë se do të shkojë në zgjedhjet lokale edhe pa opozitën.

Këto zhvillime, i komenton për IBNA, deputeti i Partisë Socialiste, Namik Kopliku. Ai thotë se në protesta nuk janë as 2% e qytetarëve të paangazhuar në partitë opozitare

Është muaji i dytë që opozita vazhdon protestat. Si i shikoni pjesëmarrjen dhe qëllimet e tyre.

Së pari, nuk më rezultojnë aspak protesta masive. Pas supermobilizimit të strukturave të partive opozitare, arrijnë të mbledhin gjysmën e militantëve të tyre, ku nuk janë as 2% e protestuesve qytetarë të paangazhuar në partitë opozitare.

Megjithatë këto protesta janë një tregues…

Protestat tregojnë mungesën e perspektivës së këtyre partive opozitare…

Po rezultati i pritshëm i tyre?

Jam i sigurt që rezultati do jetë “zero dhe asgjë”.

Gjithsesi situata është e vështirë pasi për herë të parë u dogjën mandatet e opozitës…

Djegia e mandateve tregon që ata nuk kanë asnjë alternativë bindëse për popullin shqiptar, prandaj shpresojnë në akte ekstreme për të shpresuar në “kthesa” ekstreme.

A keni një koment mbi reagimet në vend dhe ato të ndërkombëtarëve për këtë situatë të krijuar?

Opinioni shqiptar, si dhe ai ndërkombëtar i shikon këto veprime ekstreme si shumë qesharake.

Zyrtarët e Parlamentit Europian dhe Bashkimit Europian e kritikuan ashpër djegien e mandateve, por opozita thotë se nuk tërhiqet. Pse po ndodh kjo?

Është e kotë të bëhet presion nga opinioni publik apo ndërkombëtarët në drejtim të opozitës. Mendoj se e vetmja gjë që duhet bërë në këto situata është injorimi i tyre. Nëse do të kishte diçka reale në pretendimet e tyre do të ishte vetë populli që do t’i mbështeste masivisht. Mbase do të vijë ajo ditë, kur të jenë bindshëm dhe të qartë në atë çfarë përfaqësojnë apo pretendojnë të ndërtojnë në të ardhmen dhe do të kenë mbështetje. Është ligj i demokracisë, pushteti alternohet, por të paktën me premisa për përmirësim, jo me premisa dhe garanci që alternativa përfaqëson “kthim mbrapa”.

Nga ana tjetër, po flitet shumë dhe për ndërhyrje të mundshme nga Rusia….

Nuk kanë faj që mundohen të imagjinojnë si shkak, një ndërhyrje nga fuqi jashtë Ballkanit. Kjo për shkak se asgjë nuk justifikon lënien e mandateve.

Nëse nuk do të digjnin mandatet, çfarë alternative tjetër kishin?

Mund të vazhdonin “konfrontimin” politik duke qëndruar në Parlament.

Për shkak të këtyre protestave a janë forcuar apo janë lëkundur më shumë pozitat e Ramës?

Nuk mendoj se janë forcuar pozitat e Ramës apo mazhorancës nga protestat, por sigurisht që nuk janë dobësuar aspak. Të paktën në opinionin e popullit shqiptar. Mbase kjo situatë absurde mund ta detyrojë [Ramën], që në një moment të caktuar të gjejë zgjidhje “extra” logjike politike, por ai moment do të jetë në një ditë të caktuar kur do të jetë shumë më në avantazh se sot kundrejt opozitës. Mbase pikërisht në atë moment opozita nuk do jetë dakord të aplikohet “zgjidhja” që ata reklamojnë sot. Absurdi prandaj është i tillë, sepse është jashtë çdo logjike.

Si e mendoni të ardhmen e protestave të opozitës kryesisht më 16 mars, a pritet sërish dhunë?

As në datë 16 mars nuk do të kemi ndonjë ndryshim nga protestat e deritanishme. Mendoj se do të ketë më pak pjesëmarrje dhe sidomos, s’do të ketë asnjë ide te re. Dhuna është e verbër dhe mund të shfaqet në çdo moment, por pa asnjë ndikim në “jetën” e mazhorancës dhe qeverisë. Sigurisht dëmtim ka imazhi i vendit, por ky është çmimi që duhet paguar për mos angazhimin masiv të popullatës në jetën politike dhe lënien e interesave të popullit në duar të gjithfarë alternativash.

Ju folët për dëme ndaj vendit dhe imazhit të tij. A e dëmton djegia e mandateve të opozitës hapjen e negociatave në qershor dhe çfarë zhvillimesh mund të priten në vend?

Ko situatë ndikon në pritshmërinë për hapjen e negociatave. Por unë mendoj se ai proces varet 99% nga situata dhe interesat e vetë Europës – dëshiron apo jo të zgjerohet, apo përndryshe dëshiron apo jo të afrohet ndikimi i fuqive alternative në Ballkan. Vetëm 1% varet nga veprimet e opozitës në Shqipëri.

Së fundi si e parashikoni rrjedhën e zhvillimeve aktuale?

Zhvillimet në të ardhmen nuk është e lehtë të parashikohen, por opozita, me këtë qasje ndaj betejës politike normale, do të vazhdojë të dobësohet dhe nëse do të “hapë rrugë” PS, do të jetë në momentin më të disvaforshëm për opozitën.