IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Socialiste, Andrea Marto

IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Socialiste, Andrea Marto

Shqipëria është përfshirë nga një krizë politike e cila po vazhdon prej disa muajsh. Në 30 qershor janë parashikuar zgjedhjet lokale, por opozita konfirmoi se nuk do të marrë pjesë. Ajo madje siguron se nuk do të lejojë zhvillimin e tyre nëse ajo nuk merr pjesë. Opozita thotë se kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është krijimi i një qeverie teknike transitore që të përgatisë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga ana tjetër mazhoranca siguron se zgjedhjet lokale do të mbahen në datën që ka dekretuar Presidenti. Ata thonë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe as dorëheqje të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Deputeti i Partisë Socialiste, Andrea Marto, analizon këto zhvillime, në këtë intervistë për Independent Balkan News Agency Media Group, ku bëjnë pjesë agjencia e lajmeve IBNA dhe gazetat Albanian Free Press e Nezavisen Vesnik. Z.Marto thotë se opozita i ka hyrë një aventure të rrezikshme.

Si e cilësoni vendimin e grupimit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit? A është një vendim i drejtë dhe sa ndikon në çeljen e negociatave?

Vendimi për mos pjesëmarrje në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, nga PD dhe aleatët e saj, sigurisht që dëmton si imazhin e vendit edhe procesin e integrimit në BE. Kjo është dhe një nga arsyet e bojkotit, për të penguar çeljen e negociatave me BE. Mos pjesëmarrja në zgjedhje, padyshim që do të dëmtojë rëndë PD dhe partitë që e ndjekin në këtë aventurë të rrezikshme, por ky është problem që duhet t’i shqetësojë ata vetë. Shqetësimi i mbarë opinionit është për dëmin që janë duke i shkaktuar vendit dhe të ardhmes së tij europiane.

Krijimi i partisë së re “Bindja Demokratike”, a e dëmton numerikisht PD? Pse dhe si erdhi krijimi i kësaj partie të re?

Krijimi i partisë BD, në përbërjen e së cilës janë edhe figura të spikatura të PD-së, sigurisht që do të ta dëmtojnë atë. Krijimi i kësaj partie erdhi si rezultat i qëndrimit të PD, që kulmoi me papërgjegjshmërisë politike të djegies së mandateve. Sa e suksesshme do të jetë partia e re, kjo do të varet nga qëndrimet dhe aksioni i saj politik. Gjendja e mjerueshme në të cilën sot ndodhet një pjesë e opozitës, do të mundësojë suksesin e aktorëve të tjerë opozitarë.

Opozita e bashkuar deklaroi se do të vazhdojë pa ndërprerje protestat. A do të sjellë ndonjë risi vazhdimi i tyre ?

Sipas edhe deklaratave të fundit, protestat do të vijojnë dhe do të ketë sërish bllokim rrugësh. Protestat e prishin imazhin e vendit. Dhe po ashtu do të dëmtojnë kryesisht sektorin e turizmit. Por këto protesta sigurisht që nuk sjellin risi, veçse pengojnë qytetarët në përditshmërinë e tyre dhe do të dobësojnë edhe vetë forcat politike që i organizojnë.

Krahas aksionit të protestave, kreu demokrat Lulzim Basha, ka po harton një program elektoral fokusuar në 100 ditët e para të Partisë Demokratike në qeveri. Si e komentoni?

Organizimi i grupeve të punës për hartimin e programit nga selia blu, për hartimin e programit elektoral, është farsa e radhës. Qëllimi i saj i vetëm është të mashtrojë një pjesë të militantëve, për të qenë aktivë në protestat e opozitës.

Në këto kushte a do zhvillohen normalisht zgjedhjet lokale dhe a do të ndikojnë këto situata në hapjen e negociatave?

Zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e dekretuar, me pjesëmarrjen e mjaft forcave politike. Do të ishte e udhës që të gjitha forcat politike të merrnin pjesë, por një pjesë e opozitës ka zgjedhur rrugën e bojkotit, gjë që sigurisht cenon normalitetin demokratik të zgjedhjeve dhe dëmton procesin e integrimit.

Koalicioni i partive me PD a do të ketë unitet dhe a do të funksionojë?

Koalicioni i partive opozitare për mospjesëmarrje në zgjedhjet vendore, duket i vendosur në qëndrimin e tij. Por ky është një qëndrim i paprecedentë dhe antidemokratik. Megjithëse afatet kohore të parashikuara nga Kodi Zgjedhor po skadojnë, koalicioni kundra zgjedhjeve duhet të heqë dorë nga ultimatumet dhe të kërkojë mundësi për të qenë pjesë e garës elektorale. Kjo do të normalizonte situatën politike dhe do të rikthente këtë opozitë brenda sistemit demokratik, për të luajtur rolin e saj konstruktiv.

Dhe së fundi, si e shihni apelin e ndërkombëtarëve për pjesëmarrjen në zgjedhje?

Qëndrimi i të gjithë partnerëve ndërkombëtarë ka qenë i qartë. Ata kanë dënuar qëndrimet antisistem të opozitës dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet vendore.