IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi

IBNA Intervistë me deputetin e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi

Ju jeni duke zhvilluar vazhdimisht protesta. Cili është qëllimi i tyre?

Qëllimi i protestave është vetëm një, zgjedhjet e lira. Përmes tyre shqiptarët do të mund te largojnë njëherë e përgjithmonë krimin nga politika e do të votojnë të lirë për veten e të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u pritën ato?

Shqiptarët e kanë pritur dhe e kanë kërkuar këtë reagim. Ata vetë e vendosën me pjesëmarrjen masive në protesta duke vlerësuar se kjo qeveri nuk i përfaqëson më.

Po thoni se djegia e mandateve u kërkua nga protestuesit që ju mbështesin?

Vendimi për dorëzimin e mandateve të opozitës u diktua nga vetë shqiptarët. Kurse ndërkombëtaret duhet ta vlerësojnë, e të gjykojnë këtë vendim mbarëpopullor si një thirrje për të nxjerr vendin nga situata ku është zhytur.

Pas këtyre protestave a u lëkundën më shumë pozitat e Ramës?

Rama po përjeton ditët e rënies se tij nga pushteti. Këtë e tregon edhe me daljet e tij publike dhe monologun e tij. Me monologjet e tij, z.Rama nxjerr në pah se tashmë ai ka frikë jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga mediat.

Si e mendoni të ardhmen e protestave të opozitës?

Opozita është e qartë në misionin e saj bashkë me shqiptarët e ndershëm të këtij vendi, që janë shumica dhe jo vetëm të djathtë, por edhe të majtë, me parti apo pa parti. Shqiptarët janë shumica që kanë vendosur me revoltën e tyre që kjo qeveri të mos jetë e tyre dhe ne jemi të bindur t’i shkojmë pas këtij verdikti. Problemet që solli qeveria e Ramës sollën këtë reagim mbarë popullor

Dhe cilat janë këto probleme?

Pasuria e shqiptarëve s’mund t’u jepet miqve të ngushtë të kryeministrit, paratë e drogës e të krimit nuk mund të jenë zgjidhja. Varfëria ka kapluar vendin për shkak të kësaj keqqeverisje e po bën që shqiptarët të ikin nga sytë këmbët. Vetëm gjatë viteve të fundit janë larguar të paktën 300 mijë shqiptarë. Pse duhet të ikin shqiptarët nga vendi i tyre, kur zgjidhja vjen duke larguar një kryeministër që ua ktheu jetën në dëshpërim?!

A e dëmton mazhorancën djegia e mandateve të opozitës? A do ketë pasoja për qeverinë djegia e mandateve dhe çfarë zhvillimesh mund të priten në vend?

Nuk mund të këtë parlament një partiak, e rrjedhimisht nuk mund të flasim më për mazhorancë, por për një qeveri të rënë, sa kohë nuk ka opozitë. Opozita është me qytetarët ndërsa mazhoranca s’mund të jetë e tillë në këto kushte. Praktikisht kjo qeveri ka rënë ndaj dhe opozita kërkon qeveri tranzitore për të zhvilluar zgjedhjet e parakohshme. Për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve duhet të krijohen kushtet dhe të jepet garancia se do të jenë të lira e të ndershme. Për opozitën nuk ka kthim pas, dhe e majta duhet ta kuptojë rëndësinë e asaj që po ndodh në vend. Ne do te jemi në protestë e në thirrje të vazhdueshme për Ramën që të tërhiqet sa nuk është vonë. Shqiptarët do ta largojnë shumë shpejt atë.