IBNA Intervistë me deputetin e dorëhequr të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi

IBNA Intervistë me deputetin e dorëhequr të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi

Prof. Dr. Luçiano Boçi, prej disa vitesh deputet i Partisë Demokratike, e dorëzoi mandatin e tij në vijim të vendimit kolegjial të opozitës së bashkuar. Në këtë intervistë për IBNA, z.Boçi thotë se në themel të keqqeverisjes qëndron deformimi i mënyrës së përfaqësimit politik. Duke folur për protestat ai thotë se qëllimi është i qartë, shembje e sistemit kriminal aktual qeverisës dhe rikthim në demokraci reale nëpërmjet përfaqësimit të vërtetë politik me një proces zgjedhor transparent e të ndershëm.

Si erdhën protestat e opozitës dhe çfarë prisni tani prej tyre?

Protestat masive janë shprehje e zemërimit masiv qytetar. Janë protesta të qytetarëve, jo të opozitës. Zemërimi buron nga abuzimet miliardëshe të bëra nga qeveritarët dhe nga gjendja katastrofale në të cilën gjenden sot ekonomia e familjeve shqiptare, arsimimi i fëmijëve të tyre dhe kujdesi shëndetësor. Zemërimi buron edhe nga mungesa e sigurisë së jetës, së pronës, së punës. Për shkak të keqqeverisjes jemi vendi me pagat më të ulëta në rajon, vendi më i varfër, vendi më i palumtur, vendi me korrupsionin më të madh, vendi kryesor i prodhimit dhe i trafikimit të kanabisit, heroinës e kokainës.

Ju renditët disa problematika, cila është origjina e tyre?

Në themel të keqqeverisjes qëndron deformimi i mënyrës dhe shkallës së përfaqësimit politik. Qëndron pikërisht deformimi i votës dhe koncepti për të. Në një sistem normal demokratik vota është një kontratë detyruese që angazhon një qeveri të dalë nga ajo, të plotësojë kontratën. Në momentin kur vota nuk është një kontratë me qytetarin, por një bashkëpunim me krimin, çdo detyrim ndaj votuesit bie.

Prandaj ju i dogjët mandatet?

Djegia e mandateve është një hap in ekstremis. Mandatet e djegura formalizuan në sy të opinionit të brendshëm e ndërkombëtar, atë që de facto ka ndodhur në Shqipëri: zerimin e institucioneve demokratike që në themel kanë fjalën e lirë dhe instalimin e një junte policore-kriminale që mbron interesat e kësaj mazhorance.

Dhe cili është qëllimi i protestave tuaja?

Qëllimi është i qartë. Shembje e sistemit kriminal aktual qeverisës, rikthim në demokraci reale nëpërmjet përfaqësimit të vërtetë politik me një proces zgjedhor transparent e të ndershëm.

Si do të jetë fati i mëtejshëm i këtyre protestave?

Protestat janë aksione qytetare dhe opozitare që dëshmojnë shterimin dhe pavlefshmërinë e të gjithë mjeteve të tjera komunikuese me qeverinë, e cila ka kaluar tashmë çdo cak. Ato janë matëse dhe shprehje revolte dhe shprehin kërkesa pa kthim, sikurse janë dëshmi e dështimit spektakolar të kësaj qeverisjeje. Ato janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur ngërçin tërësor ekonomiko-social e politik në vendin tonë.

Në opinionin shqiptar si janë pritur këto protesta?

Në opinionin shqiptar protestat janë interpretuar si mjet i domosdoshëm dhe si i vetmi mjet shpëtimi nga regjimi i ri. Qytetarët kudo shprehin mbështetje pjesëmarrëse ose solidarizuese dhe tendenca është në rritje. Sot në protestë krahas studentëve që ende nuk e kanë përfunduar revoltën e tyre, janë mjekët, mësuesit, të papunët, banorët e rrezikuar në ekzistencë e tyre dhe çdo shqiptar të cilit i është vrarë shpresa dhe e nesërmja.

Megjithatë në opinionin ndërkombëtar, nuk keni mbështetje…

Ndërkombëtarët i pranojnë protestat si element demokratik por në deklaratat e tyre shprehin një shqetësim të paarsyeshëm që lidhet me përdorimin e dhunës. Por kjo është një retorikë standarde, sepse kudo në Evropë, shprehja e zemërimit protestues ka forma të ndryshme, përfshirë dhe shfaqet ekstreme. E rëndësishme është se opozita nuk ka inkurajuar dhunën. Aktet sporadike nuk mund ta bëjnë pis protestën, sikurse një protestë, pa akte të forta nuk mund të quhet e tillë. Protestat nuk janë as shëtitje e as shfaqe festivalesh. Brenda tyre ka revoltë, shpërthim dhe shpirtra të lirë. Përmbajtja i takon forcave të rendit dhe qeverisë e jo qytetarëve. Përdorimi i lëndëve helmuese dhe i manovrave ushtarako-policore që shkojnë deri tek telat me gjemba, arrestimet masive, tregojnë qartë degradimin mental dhe emocional të një qeverisje, e cila sot po lufton me njerëzit e thjeshtë në emër të interesave të një grupi pushtetarësh grabitës, hajdutë, të korruptuar dhe të neveritshëm. Në këtë pikë Rama duhet t’i bëjë llogaritë mirë. Në një moment të dytë fishekzjarrët e plasëset e hedhura nga protestuesit kanë për t’iu dukur si lule.

Si e mendoni të ardhmen e protestave të opozitës kryesisht më 16 mars a pritet rritje pjesëmarrjeje?

Me siguri do ketë masivitet por dhe intensitet. Numerologjia mbetet gjithsesi një lojë dhe rezultatin ta japin aktet e veprimet e mëtejshme politike.

A e dëmton hapjen e negociatave në qershor djegia e mandateve të opozitës dhe çfarë zhvillimesh mund të priten në vend?

Hapjen e negociatave e dëmtojnë korrupsioni i evidentuar nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë, uzurpimi i shtetit nga krimi, rrëzimi i konkurrencës së lirë, ndërtimi i një ekonomie me para të pista droge e trafiqesh, eliminimi i institucioneve demokratike, kapja e mediave dhe gjuetia ndaj fjalës së lirë dhe instalimi i një drejtësie të politizuar.