IBNA Intervistë me analistin e njohur politik, Prof. Enver Bytyçi

IBNA Intervistë me analistin e njohur politik, Prof. Enver Bytyçi

Analisti i njohur politik, Prof. Enver Bytyçi, komenton zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Shqipëria është përfshirë nga një krizë politike e cila po vazhdon prej disa muajsh. Në 30 qershor janë parashikuar zgjedhjet lokale, por opozita konfirmoi se nuk do të marrë pjesë. Ajo madje siguron se nuk do të lejojë zhvillimin e tyre nëse ajo nuk merr pjesë. Opozita thotë se kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është krijimi i një qeverie teknike transitore që të përgatisë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nga ana tjetër mazhoranca siguron se zgjedhjet lokale do të mbahen në datën që ka dekretuar Presidenti. Ata thonë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe as dorëheqje të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në këtë intervistë për Independent Balkan News Agency Media Group, pjesë e të cilës është Albanian Free Press, Prof. Bytyçi thotë se protestat do të përshkallëzohen gjithnjë e më shumë. Kjo sipas tij do të ndodhë pasi opozita nuk ka rrugë tjetër për të vepruar. “Protestat e opozitës jo vetëm që do të vazhdojnë, por ato do të përshkallëzohen më shumë, për shkak se nuk ka alternativë tjetër”.

Partia Demokratike ka shpallur vendimin për t’i bojkotuar së bashku me aleatët zgjedhjet lokale dhe kusht themelor mbetet largimi i Ramës. Si e shihni këtë vendim?

Partia Demokratike dhe opozita reale në vend shpallën bojkotin parlamentar, duke djegur mandatet e deputetëve, sepse u ndodhën gjatë gjithë kohës përballë dhunës së pashembullt të kreut të mazhorancës. Kryeministri Rama vendosi diktatin e tij jo vetëm në qeveri por edhe në parlament. Pavarësisht rezistencës dhe reagimeve të opozitës, parlamenti i Shqipërisë me urdhër të kryeministrit miratoi ligje antikushtetuese, ligje extra për interesa extra të oligarkëve të lidhur me pushtetin. Bazuar dhe te faktet e sjella për bashkëpunimin e krerëve të mazhorancës me grupe kriminale për blerjen e votave, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie transitore, të besueshme, të aftë për të përgatitur zgjedhje të lira e të ndershme, është e drejtë dhe legjitime.

A do vazhdojnë protestat e opozitës dhe a do të sjellin risi?

Protestat e opozitës jo vetëm që do të vazhdojnë, por ato do të përshkallëzohen më shumë, për shkak se nuk ka alternativë tjetër. Ata që vendosën të dorëzojnë mandatet testuan opinionin dhe u bindën se mbështetësit e tyre do të mblidheshin e protestonin fuqishëm pasi të bindeshin se Lulzim Basha dhe opozita të jenë shkëputur nga mundësia e kompromiseve me Edi Ramën dhe Rilindjen. Protestat e muajit maj nuk do të jenë si ato të prillit dhe nëse Rama nuk tërhiqet, protestat e qershorit nuk do të jenë si ato të muajit maj. Nëse kryeministri vendos të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit pa opozitën, ose me një opozitë të përcaktuar, të emëruar, atëherë ai do ta çojë Shqipërinë drejt një përplasjeje të madhe. Pra, protestat do vazhdojnë dhe unë parashikoj se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Mazhoranca do të tërhiqet, ose opozita do t’i pamundësojë ato. Vetëm një diktator mund ta nxjerrë me arrogancë opozitën reale jashtë sistemit.

Sakaq, lideri demokrat Lulzim Basha, ka nisur të hartojë një program elektoral fokusuar në 100 ditët e para të Partisë Demokratike në qeveri, gjithnjë nëse arrihet objektivi për largimin e Ramës dhe qytetarët do t’i besojnë pushtetin. Çfarë mund të sjellë ky program i ri?

Programi i plotë duket se ende nuk është përgatitur, por duket qartë se do të ketë një qeverisje krejt ndryshe, në një farë mënyre, ndryshim rrënjësor i sistemit. Para së gjithash vihet theksi te ndryshimi i kodit zgjedhor dhe mënyrës së përfaqësimit. Si të jenë zgjedhjet dhe si të jetë përfaqësimi në parlament, ashtu është dhe vetë sistemi. Sa më pak defekte në zgjedhje dhe përfaqësim, aq më pak gabime do të duhej normalisht të kishte në qeverisje. Këtu fillon ndryshimi. Ndërkaq ndryshimet do të jenë kryesisht në marrëdhënien midis atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen. Kjo do të thotë se qeverisja e re do të duhet t’i japë fund arrogancës së qeverisjes dhe të vendosë një raport e standard të ri me shtetin e së drejtës. Çdo rend dhe çdo sistem matet me këtë raport, pra me ekuilibrin e drejtësisë në qeverisje. Diskriminimi dhe krijimi i oligarkisë çon në korrupsion dhe shtimin e ndikimit të grupeve kriminale në qeverisje. Kjo ka ndodhur në këto afërsisht 6 vite, ndonëse as qeverisjet e mëparshme nuk kanë qenë imune.

Në ç’pozita ndodhet Rama aktualisht? Si u komentua ai në Samitin e Berlinit?

Samiti i Berlinit i datës 29 prill ishte një test dhe mbetet një projekt për stabilitetin në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit. Ajo që u theksua aty ka të bëjë me faktin se stabiliteti tashmë do të kërkohet përmes promovimit të demokracisë. Nuk do të ndodhë ajo që ka ndodhur deri tani që në emër të stabilitetit të mbrohet dhe legjitimohet autokracia. Së dyti, Samiti i Berlinit përcaktoi qartë se janë realitetet e rezultatet e qeverisjes ato që përcaktojnë rrugën e integrimeve. Shqipëria në këtë samit mori përgjigje negative për hapjen e negociatave. Të gjitha këto janë sinjale të qarta se rruga jonë e integrimit është një rrugë e gjatë. Qeveria do të duhet që ta kërkojë shkakun te situatat që ajo vetë i ka krijuar në Shqipëri. Kryesore është bashkëpunimi politik. Dhe për këtë përgjegjësinë kryesore e ka mazhoranca, qeveria, sepse ajo ka tagrin ta tërheqë opozitën në qeverisje.