IBNA Interviste/Keta: Ç’vlerë do kenë zgjedhjet lokale, nëse do blihet vota!

IBNA Interviste/Keta: Ç’vlerë do kenë zgjedhjet  lokale, nëse do blihet vota!

INTERVISTA/ Flet ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryebashkiak i Bulqizës, Roland Keta:“Do të ketë zgjedhje, kur të garantohen zgjedhjet e lira. Populli do votë të garantuar. Do që të votojë i qetë dhe të dijë ku shkon vota e tij, ndryshe pse do votojë?”

“Zgjedhje të lira do ketë me një qeveri teknike, kalimtare”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për IBNA, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Roland Keta, në kryefjalë të së cilës ai vë pikërisht argumentin e “vjedhjes së votës”.“Në zgjedhjet e kaluara janë parë hapur vjedhje. Madje edhe vetë OSBE-ODHIR e ka cilësuar. Në këto kushte, ky është parlament ilegjitim. Bëhet fjalë rreth 20% të votave. Këto janë shkaqet e protestave tona të drejta”, pohon ai…

Intervistoi  nga Albert Zholi

Opozita po vazhdon protestat e saj të njëpasnjëshme, pas masës ekstreme për djegien e mandateve të deputetëve të saj. Si do t‘i vlerësonit ju ato?

Si objektiv të tyrin, të gjitha protestat kanë pasur dhe kanë largimin e Edi Ramës si kryeministër. Por edhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme si domosdoshmëri për stabilitetin e vendit. Siç edhe e keni dëgjuar, opozita nuk do të tërhiqet, por ajo do të vazhdojë protestat e saj paqësore, deri në realizimin e objektivit. Nuk ka rrugë tjetër, kjo qeveri është e pabesueshme. Të gjitha protestat bëhen që të respektohet vota e popullit shqiptar, që vota të mos vidhet.

Përse e përmendni vjedhjen e votës?

Sepse ju e dini shumë mirë sesi shumë media botërore e përcollën faktin që në zgjedhjet parlamentare të 2017-tës  shumë vota janë blerë dhe vjedhur me lekët e krimit, me lekët e drogës. Madje edhe vetë OSBE-ODHIR e ka cilësuar se ka pasur vjedhje në këto zgjedhje. Në këto kushte, ky është parlament ilegjitim. Bëhet fjalë rreth 20% të votave. Këto janë shkaqet e protestave tona të drejta.

Parë nga ky këndvështrim, mendoni se djegia e mandateve të deputetëve nga opozita ishte rruga më e drejtë?

Sigurisht. Opozita i kërkoi të gjitha rrugët e mundshme për ballafaqim me zhvillimet e fundit, por mazhoranca nuk mori asgjë parasysh. Opozita nuk u përfill në asnjë kërkesë të saj në parlament. Reagimi i mazhorancës ka qenë arrogant. Mund të shtyhej më kjo situatë? Që opozita të ishte në parlament vetëm për numër? Nuk kishte rrugë tjetër.

Por ndërkohë, ka pasur edhe institucione apo organizma ndërkombëtare që i kanë bërë thirrje opozitës të kthehet në parlament dhe se kjo nuk është rruga e duhur për të zgjidhur problemet.

Po, ka pasur disa institucione, por ato nuk janë të gjitha. Pasi ka edhe institucione që i japin të drejtë, pasi shumë prej tyre  nuk e njohin realisht situatën. Nuk e njohin si është jeta në Shqipëri dhe shumë gjëra i kanë me të dëgjuara, me të servirura dhe jo të përjetuara. Vetë lideri i opozitës komunikon çdo ditë me organizmat ndërkombëtarë dhe po e sqaron situatën. Nëse nuk do të bëhej prezent kjo situatë, të gjitha zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të ishin të rrezikuara.

Në këto situata, mendoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Do të ketë zgjedhje të parakohshme nëse do të garantohen zgjedhje të lira. Po kërkojmë zgjedhje të parakohshme pa Ramën kryeministër, pasi me të nuk ka zgjedhje të lira. Zgjedhje të lira do ketë me një qeveri teknike, kalimtare.

Pra, mendoni se nuk do të ketë zgjedhje lokale në kohën e caktuar?

Çfarë vlere do të kenë zgjedhjet lokale kur nuk garantohet vota e lirë, nëse blihet vota. Do të ketë zgjedhje kur të garantohen zgjedhjet e lira. Populli do votë të garantuar. Do që të votojë i qetë dhe të dijë ku shkon vota, ndryshe pse do votojë?