IBNA Intervistë/Jemi përpara rrethanave që kushtëzojnë zgjedhje të parakohshme në vend

IBNA Intervistë/Jemi përpara rrethanave   që kushtëzojnë zgjedhje  të  parakohshme në vend

Opozita nuk është në kundërshtim me kushtetutën dhe me ato që parashikojnë ligjet e këtij vendi. Prandaj protestat e saj do të vazhdojnë. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për IBNA, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Republikane, Arjan Madhi. Duke shtuar se ajo i qëndron vendimit për të mos hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Dhe se vendi gjendet në rrethanat që kushtëzojnë zgjedhjet e parakohshme…

Intervistoi Albert Zholi

Para pak ditësh u zhvillua Kongresi i Partisë Socialiste. Si do ta cilësoje këtë aktivitet?

Si një aktivitet i zakonshëm. Ky kongres nuk mund të ngjallte një interes të  veçantë publik. Thjesht, aty u analizua një çështje e karakterit të brendshëm të Partisë Socialiste, me asnjë ndikim për të sotmen edhe të ardhmen e vendit.

Si do ta komentonit protestën e fundit të opozitës?

Më datën 16 mars u realizua i njëjti qëllim i mijëra pjesëmarrësve. U shpreh qartë bindja e tyre dhe shprehja e pakënaqësisë me qeverinë aktuale, nga e cila kanë hequr çdo lloj shprese. Por ajo pati edhe një risi të re, atë të “rrethimit” të parlamentit. Ai paralajmëron dorëzimin e kështjellës së mazhorancës dhe një fillim të ri. Për një shpresë të re nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.

Po djegien e mandateve nga opozita si do ta vlerësonit? A ishte vërtet ai një hap i domosdoshëm dhe pse?

Besimi im është që djegia e mandateve shpesh është një veprim i paprecedent. Por edhe nëse rezulton si i tillë, kjo nuk e bën atë të papranueshëm si një instrument politik legjitim.

Le të ndalemi tek deklaratat e ndërkombëtarëve, si do t’i vlerësonit ato?

Ende nuk është konstatuar ndonjë argument i tyre se çfarë e bën të papranueshme djegien e mandateve. Unë nuk shoh mungesë legjitimiteti.

Si e mendoni të ardhmen e protestave?

Si një cikël i pandërprerë deri në arritjen e qëllimit, i cili në të kundërtën, do ta humbte kuptimin. Një veprimtari, që duhet të arrijë qëllimin, vetëm në anë të protestës. E dhe ndërkombëtarët duhet të përfshihen në kohë në një proces politik ndërmjetësimi. Dhe kjo gjë është e mirëpritur.

Rruga është e vështirë drejt Bashkimit Evropian, pasi qeveria shqiptare nuk ka arritur standardin minimal të komunikimit për zgjidhje, si një vend demokratik. Dhe ajo nuk mund të mashtrojë kundër opozitës, e cila sipas saj po e pengon procesin. Shoqërinë duhet që ta ndërgjegjësojmë që t’i kërkojë llogari çdo force politike në veprimtarinë e saj, siç veprohet në çdo vend demokratik.

A do të përfshiheni në zgjedhjet lokale?

Unë i qëndroj me bindje asaj, e cila më ka bërë të angazhohem politikisht në këtë protestë. Fakti që ne nuk kemi ende shpresë për të arritur një kod zgjedhor, që të ishte në shërbim të tezaurimit dhe përjashtimit  të plotë të të gjitha situatave kriminale, apo që të monitorojë çdo proces që mund të jetë manipulativ, unë nuk mund ta kuptoj se si mund të hymë në zgjedhje. Sot ka një kod pa garanci.