IBNA INTERVISTË/ Ish-deputeti i PS, Elmaz Sherifi, komenton protestën e opozitës

IBNA INTERVISTË/ Ish-deputeti i PS, Elmaz Sherifi, komenton protestën e opozitës

Opozita e bashkuar zhvilloi të shtunën më 16 shkurt një protestë disaorëshe duke kërkuar që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen, të krijohet një qeveri kalimtare dhe të përgatiten zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ecuria dhe rezultatet e kësaj proteste, komentohen në këtë intervistë për Independent Balkan News Agency, nga ish-deputeti i PS, pedagogu Elmaz Sherifi.

Nga opozita pritej një protestë masive, a ishte e tillë dhe a e justifikoi tërë atë përgatitje?

Kam qenë dhe jam kundër organizimit të protestave nga partitë. Sepse partitë janë subjekte politike kushtetuese që edukojnë elektoratet që i besojnë dhe mbështesin, me parimet e shtetit social të së drejtës për ta marrë pushtetin me zgjedhje të lira dhe demokratike. Protestat i bëjnë sindikatat ose shoqata e grupe interesi kur politikat ekonomike u dëmtojnë interesat jetësore. Në Shqipëri nuk ka ligje për protestat, por për tubime e manifestime. Protesta e së shtunës ishte masive dhe i dha një sinjal shumë të fortë qeverisë dhe fodullëkut të pajustifikuar të Kryeministrit. Kush ka ndjeshmëri dhe mendim politik duhet ta lexojë mirë atë protestë.

Çfarë tregoi kjo protestë?

Tregoi se edhe pas 30 vjetësh në Shqipëri nuk ka demokraci dhe niveli i mirëqenies është në nivele dëshpëruese. Ikjet masive nga vendi janë alarmante. Nëse ata do të ishin në Shqipëri, protesta do të ishte edhe më e madhe. Me shpirt dje kanë protestuar mijëra të tjerë që nuk ishin para kryeministrisë.

Po në opinion shqiptar dhe atë ndërkombëtar si u prit?

Të gjithë faktorët e kanë pritur e mbështetur duke shmangur incidentet. Televizione të shumë vendeve e transmetuan si ngjarje që do të ndikojë edhe në ato vende që, më shumë kanë dëshiruar stabilitetin në Shqipëri, se sa zhvillimet demokratike dhe qeverisjen e mirë. Jam i bindur se do të ndryshojnë mendimin për zhvillimet politike demokratike në Shqipëri.

Kush ishin të metat e kësaj proteste?

Nuk mund te flitet për të meta të një proteste që degjeneron. Ajo dha një sinjal të fortë për qeverisjen e keqe në Shqipëri, në formën e një mllefi në rritje.

Pas kësaj proteste a u lëkundën më shumë pozitat e Ramës?

Pozitat e Ramës po dobësohen edhe brenda partisë që po udhëheq për afro 15 vjet.

Si e mendoni ta ardhmen e protestave të opozitës?

Kjo protestë më shumë se sa qeverinë ka vënë në pozita opozitën që ftoi qytetarët të protestonin. Mendoj se opozita do të kalojë në veprime politike edhe më të forta, nëse pozita tregohet edhe më arrogante.

Opozita thotë se policia provokoi disa protestues, kurse qeveria thotë se dhuna u përdor nga protestuesit, mendimi juaj?

Nëse forcat e rendit i lejuan protestuesit të godisnin Kryeministrinë, përse vazhdonin të qëndronin të heshtur në rresht? Ishte sjellje e pakuptimtë për mua.