IBNA Interviste/Beqiraj: Zgjedhjet lokale, opozita të heqë dorë nga parimi “O të gjitha, o asgjë!”

IBNA Interviste/Beqiraj: Zgjedhjet lokale, opozita të heqë  dorë nga parimi “O të gjitha, o asgjë!”

“Shpresoj që opozita të reflektojë për zgjedhjet lokale”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, deputeti i Partisë Socialiste, Ismet Beqiraj. Duke hedhur më tej edhe parashikimin, se do të jetë pikërisht kjo forcë politike që do t’i fitojë ato. “Protestat e  opozitës po u ngjajnë “matrioshkave ruse” për nga qëllimi, objekti, lidershipi, vizioni politik, si dhe sensibilizimi qytetar”, shton ai…

Intervistoi Albert Zholi

Si do ta cilësonit kongresin e fundit të Partisë Socialiste?

Një manifest popullor përtej së majtës dhe të djathtës, në mbështetje të reformave dhe rrugës euroatlantike të nisur.

A mendoni se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Shpresoj të reflektojë. Këshilla ime do të ishte: Të heqë dorë nga parimi: “O të gjitha, o asgjë!”.

Sondazhet thonë se nëse zgjedhjet bëhen sot, mazhoanca aktuale i fiton sërish. Mendimi juaj?

Po kush do t’i fitojë? Ata që braktisën betejën nga “fusha e demokracisë” apo sabotim të reformave dhe kthim pas në kaos e në paligjshmëri, tipike për qeverisjen e të djathtëve?

Ata janë përgjegjësit edhe për situatën e sotme ku ndodhet opozita dhe vetë Shqipëria.

Çfarë tregojnë këto protesta, apo edhe djegia e mandateve në opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar sipas jush?

Askush nuk e mohon faktin që protestat janë një mjet i ushtrimit të demokracisë, por kjo nuk do të thotë që këtë benefit që të jep demokracia ta shpërdorosh me dhunën ndaj institucioneve dhe përfaqësueseve të popullit. Përdorimi i protestës si instrument dhune për të ardhur në pushtet me imponim dhe nga tavolina, e komprometon vetë misionin dhe vlerat e saj. Tani po bëhen shumë protesta të opozitës politike dhe jo të qytetarëve. Nuk di se kë të komentosh më parë, pasi u ngjajnë “matrioshkave ruse” për nga qëllimi, objekti, lidershipi,  vizioni politik, si dhe sensibilizimi qytetar.

A mendoni se këto protesta do të vazhdojnë, pavarësisht ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve?

Këtu qëndron edhe paradoksi më i madh i opozitës politike. E duan Shqipërinë si gjithë Europa! I duan si partnerë dhe aleatë strategjikë miqtë tanë amerikanë dhe europianë. Duan me fjalë të na hapet dera sa më shpejt në familjen europiane. Por refuzojnë me fanatizëm bajraktari, të mirën e këshillave që miqtë tanë euroatlantikë u ofrojnë.

Sipas mendimit tuaj, a e dëmton hapjen e negociatave në qershor  djegia e mandateve të opozitës dhe çfarë zhvillimesh mund të priten në vend? 

Një gomë e djegur para Parlamentit… siç tha edhe artisti ynë i shquar, Saimir Pirgu, që i duhen 200 koncerte të rikuperojë imazhin e përbaltur të Shqipërisë në botë. Sidomos për vendet skeptike në prag të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave me BE-në. Gjithsesi, unë jam shpresëplotë se Shqipërisë do t’i hapen dyert e familjes europiane në vlerësim të sakrificave dhe rrugës së gjatë dhe të vështirë që po kalon, si mbështetje dhe nxitje të reformave të cilat ka ndërmarrë dhe qershia mbi tortë e tyre mbetet reforma në drejtësi, unike dhe model në llojin e vet.