I refuzohet protesta për shkak të sigurisë, opozita: Do zhvillohet!

I refuzohet protesta për shkak të  sigurisë, opozita: Do zhvillohet!

Policia e Tiranës hedh poshtë kërkesën e opozitës për protestën e 5 Marsit para Kuvendit. Përgjigjia: Jeni në shkelje flagrante të ligjit!

Policia e Tiranës ka refuzuar kërkesën e opozitës për të zhvilluar një protestë në datën 5 mars, para mjediseve të Kuvendit.

“Zhvillimi i tubimit të kërkuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë cënon sigurinë e institucionit të rëndësisë së veçantë, Kuvendi i Shqipërisë. Pengon hyrjet dhe daljet e anëtarëve të qeverisë, deputetëve, administratës, si edhe rrezikon jetën e tyre dhe pengon veprimtarinë e ligjshme të Kuvendit”, ka njoftuar ajo. Prandaj sipas policisë, “vendoset të ndalohet zhvillimi i tubimit të kërkuar”.

Më tej, blutë e kryeqytetit kanë shtuar se kërkojnë mirëkuptimin e opozitës për zhvillimin e një tubimi të qetë e normal në një vend tjetër të përshtatshëm.

“Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare e sigurinë publike, mund të ndalohet zhvillimi i tij”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e policisë.

Por asaj i është kundërpërgjigjur menjëherë Partia Demokratike, e cila nuk ka hequr dorë nga kërkesa e saj për protestën e 5 marsit para mjediseve të Kuvendit.

“Ju njoftojmë se tubimi do të zhvillohet sipas njoftimit të bërë me shkresën tonë”, pohojnë drejtuesit e saj.

Duke e paralajmëruar madje policinë se çdo pengim i lirisë së ushtrimit të tubimit dhe pasojave që mund të shkaktojë ai është nën përgjegjësinë e saj personale dhe institucionale. “Ju bëjmë me dije se jeni në shkelje flagrante të ligjit”, përfundon deklarata e PD-së.