Hyn në fuqi Republika e Maqedonisë së Veriut, ja detyrimet dhe ndryshimet që duhet të bëhen

Hyn në fuqi Republika e Maqedonisë së Veriut, ja detyrimet dhe ndryshimet që duhet të bëhen

Ka hyrë në fuqi emri i ri Republika e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, duke i dhënë fund këtij kontesti disavje[ar.  Me këtë fillon procesi i ndryshimit të të gjitha mbishkrimeve, tabelave, dokumenteve, targave të makinave, banknotave  dhe ndryshime tjera që duhet të mbajnë emrin e ri dhe duke e lënë në histori emrin e deritanishëm Republika e Maqedonisë, apo në arenën ndërkombëtare që njihej si FYROM.

Ministria e Jashtme obligohet menjëherë të njoftojë OKB-në, organizatat tjera ndërkombëtare, për ndryshimin e emrit. Do të njoftohen dhe 130 shtetet të cilat vendin e kanë njohur vendin me emrin kushtetues.

Ndryshimet që nisin nga tabelat në vendkalimet kufitare

Me ndryshimin e ueb faqes qeveritare ka nisur zbatimi i emrit të ri. Grupi qeveritar që po merret me zbatimin e detyrimeve ka sjellë vendimet e para, ashtu që sipas zv.ministrit të jashtëm Andrej Zernovski janë paraparë disa afate.

Sot pritet të vendoset tabela e parë në pikën kufitare Bogodoricë me Greqinë.

“Dogana ka afat prej tre ditëve që të vendos tabelat e reja me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut në të gjitha pikat kufitare dhe dy aeroportet. Ministria e Brendshme ka afat prej katër muajve që të lëshojë targat e reja, që do të mbajnë kodin e ri NMK”, theksoi Zernovski. Në afat prej katër muajve duhet që të ndryshohen tabelat në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, që duhet të heqin emrin e deritanishëm dhe të përdorin emrin e ri.

Sipas Qeverisë, deri në fund të vitit do të fillojë edhe lëshimi i dokumenteve të reja të udhëtimit. Paratë do të ndryshohen në disa faza, duke filluar nga viti 2020. Në afat prej gjashtë muajve duhet të bëhet revizioni i statuseve të të gjitha përmendoreve dhe objekteve tjera, që nëse përmbajnë elemente të trashëgimisë dhe historisë antike greke, ato duhet ndryshuar. “Virgina” e njohur si simbol grek do të hiqet nga të gjitha objektet, dokumentet apo vendet e tjera që është përdorur deri më tani.

Zaev: Emri i ri duhet të respektohet

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë theksoi se Kushtetuta e re duhet të respektohet për të treguar se vendi kryen detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Prespës.

“Pasaportat e reja janë vulosur si ‘Maqedonia e Veriut’. Edhe regjistrimet do të jenë falas”, tha Zaev. Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka detyrime serioze, ndërsa pjesa më e madhe e punës është e përfunduar./IBNA