Hijet e 1997-ës në vitin 2019, Basha dhe Rama

Hijet e 1997-ës në vitin 2019, Basha dhe Rama

Nga Roland Qafoku

Krijimi i grupit parlamentar opozitar, por me një PD që ka djegur mandatet dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve më 30 qershor pa opozitën zyrtare, ka krijuar një situatë kaotike në Shqipëri. Nëse i besojmë thirrjeve të fundit të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha si dhe betimin e kreut të PD Lulzim Basha për t’i penguar këto zgjedhje, vendi po shkon në një përplasje civile si ajo në vitin 1997.

Në atë vit në të cilin humbën jetën 3500 persona dhe u plagosën 10 mijë të tjerë pasi shteti ra, u rrëmbyen armët, vendi u kthye në kaos total dhe që për të vendosur rendin, mbërritën në Shqipëri forcat shumëkombëshe.

I pari që paralajmëroi trazira ishte lideri Sali Berisha: “Vendi po shkon drejt një përplasjeje të sigurt. Se çfarë do të jetë, të shohim. Vota e lirë, është vota e lirë. Opozita e ka këtë betejë me çdo çmim për të rikthyer votën e lirë.

Dhe i dyti, kryetari i PD, Llulzim Basha që ndonëse në unison me paraardhësin e tij, deklarimin e bëri në një formë më të moderuar:

“Do të pamundësojmë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”.

Jemi në situatë deklarative dhe në horizont duket sikur nuk e shikojmë një gjë të tillë, por realisht këto dy deklarata janë të frikshme që prodhojnë frikë. E frikshme për situatën që po kalon vendi që është në krizë politike dhe e frikshme nëse kjo krizë politike kthehet në përplasje civile.

Duket se mungesa e mbështetjes së faktorit ndërkombëtar i kanë bërë më inkandeshentë Berishën dhe Bashën. SHBA doli me dy deklarata duke kërkuar që zgjedhjet lokale të bëhen dhe sa më shumë parti të marrin pjesë.

Kështu, kryeministri Edi Rama duket se ka gjetur mbështetjen për të vijuar angazhimin politik të mazhorancës me kokëfortësi dhe të mos impenjohet në zgjidhjen e krizës politike.

Por a është kjo një sjellje normale e opozitës dhe e mazhorancës?

Unë kurrë nuk do ta besoj që Berisha dhe Basha e kanë seriozisht atë që thonë. Nuk dua ta besoj që Berisha dhe Basha vërtetë duan ta çojnë vendin në replay 1997.

Nuk dua ta besoj që Berisha dëshiron ta mbyllë karrierën politike me një përplasje civile dhe Basha pas 6 viteve si pasardhës i Berishës, të bëjë bashkë me Berishën atë që Shqipëria e ka si gungë në kurriz.

Nuk kundërshtoj asnjë nga pretendimet e opozitës ndaj qeverisë. Zullumet e qeverisë janë ato që janë dhe për këtë mjaftojnë të mbështetemi në raportet ndërkombëtare.

Por pavarësisht kësaj situate, a e justifikon e gjithë kjo që vendi të shkojë në përplasje civile? A justifikohen gabimet e qeverisjes që Shqipëria që të përsëritet viti i turpshëm 1997?

Unë nuk e besoj, nuk dua të besoj që do ndodhë. Unë nuk e uroj kurrë që Lulzim Basha të bëhet kryeministër duke ardhur më përplasje civile. Nuk dua ta besoj se ai dhe Berisha e kanë seriozisht.

Ashtu siç nuk dua të besoj që Rama nuk ka mençurinë që të nisë e të zgjidhë këtë krizë dhe se do vijojë me kokëfortësi deri sa ta çojë vendin në humnerë.

Ndryshe do të ishte një turp që do mbante emrin e Lulzim Bashës dhe të Edi Ramës. I pari që do të realizonte përplasjen civile dhe i dyti që nuk e shmangu atë.

Do të ishte një situatë që do të kishte të denjë, vetëm një fjalë: TURP!