SHBA kërkon vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

SHBA kërkon vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Dy zyrtarë të lartë amerikanë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Erath dhe Brad Berkley të mërkurën pasdite kanë realizuar takime me kreun shtetërorë të Kosovës.

Në takimin me presidentin, Hashim Thaçi  dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj ata kanë kërkuar pezullimin e taksës dhe  vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Serbinë.

“Zyrtarët e lartë amerikanë kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar presidenti Thaçi përmes një komunikate për media.

Ai ka thënë se,  në procesin e dialogut institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin së më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së.

“Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”, ka shtuar presidenti kosovar.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar e ka siguruar dy zyrtarë të lartë amerikanë se Kosova do të ruaj miqësinë me Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq në një komunikatë thekson se kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit ka nënvizuar se “Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, Bashkim Evropian dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”./Ibna/