Harta e re parlamentare, si po ndryshon Kuvendi

Harta e re parlamentare, si po ndryshon Kuvendi

Një hartë e re parlamentare. Kjo po krijohet nga pas djegies së mandateve pak ditë më parë nga 57 deputetë të opozitës. Kështu, ditën e djeshme janë zyrtarizuar edhe katër “opozitarët e rinj” të Kuvendit. Të tillë mund t’i quajmë ata që kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ka qenë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili i kaloi mandatet e deputetëve të kësaj force politike, tek kandidatët zëvendëses.

Konkretisht, sipas këtyre ndryshimeve, ish-deputeti Endrit Braimllari, u zëvendësua nga kandidati pasues Edmond Rushiti. Po në Tiranë, ish-deputetja Florida Kërpaçi u zëvendësua nga kandidati Ylli Shehu. Kurse në Elbasan, mandatin e Edmond Haxhinastos, KQZ-ja ia kaloi kandidatit pasues Enver Roshi. Në fund, mandatin e ish-deputetit të Dibrës, Përparim Spahiu, e mori kandidatja Aurora Mara.

Në këtë mënyrë, Kuvendit iu shtuan edhe katër deputetë të tjerë që do të jenë pjesë e seancave plenare, përveç 74 deputetëve të konfirmuar të mazhorancës.

Sikundër, do të jetë aty edhe një tjetër deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, i cili nuk pranoi ta dorëzojë mandatin e tij.

E duke e çuar në pesë deputetë, pjesëmarrjen e LSI-së në Kuvend, edhe pse ajo si grup doli me vendimin unanim për dorëzimin e mandateve të deputetëve.

Njësoj si në krahun tjetër, tek Partia Demokratike, ku refuzimi i lënies së mandatit po paralajmërohet nga vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari, ndërsa është konfirmuar edhe nga deputeti i Lushnjës, Myslim Murrizi. Duke bërë që në seancat e ardhshme parlamentare të ketë edhe dy opozitarë më shumë, përveç atyre nga LSI-ja. Pra, salla e Kuvendit nuk do të jetë bosh, pa praninë e opozitës, siç ka qenë edhe synimi i saj.

Presidenti: Kriza politike, mund dhe duhej që të ishte shmangur

“Jemi në kushtet e një krize politike, kushtetuese dhe institucionale, e cila mund dhe duhej të ishte shmangur”. Kështu e ka vlerësuar situatën politike, në të cilën gjendet aktualisht vendi, Presidenti i Republikës, Ilir Meta. “Në mënyrë të vazhdueshme kam apeluar për dialog mes palëve, mbi të gjitha për t’i paraprirë vendimit të qershorit”, shtoi ai, gjatë një konference me presidentin slloven, Borut Pahor. Duke konfirmuar në këtë mënyrë qëndrimin e tij, se vendimi i qershorit për negociatat me Bashkimin Evropian mbetet mjaft i rëndësishëm. Prandaj drejtoi thirrje për reflektim dhe hapa pas, si nga opozita, dhe nga mazhoranca. “Mund të ikë edhe një vit dhe mund të mbetemi përsëri në vend. Jam në vijim të thirrjeve edhe të mëparshme që palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë për të rivendosur rendin normalitetin politik, kushtetues dhe institucional”, theksoi Meta.