Harandinaj: Nuk do lejojë krizë humanitare në Veri të Kosovës

Harandinaj: Nuk do lejojë krizë humanitare në Veri të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se nuk do të lejoj krizë humanitare në veri të Kosovës.
Ai tha se në këto komuna të banuara me serbë do të hapen disa pika shitëse. Ky vendim i kryeministrit kosovar erdhi pas vendimit të afaristëve të atjeshëm për mbylljen e dyqaneve, përfshirë ato ushqimore, barnatoret, furrat e bukës e të tjera.
“Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare”, deklaroi Haradinaj.
Sipas tij, “kriza humanitare në veri” është një inskenim i autoriteteve të atjeshme dhe Beogradit.
“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, tha Haradinaj.
Ai tha se në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, Qeveria ka organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e Kosovës.
“Ky aksion, i koordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane”, tha Haradinaj.
Asnjë qytetar i Kosovës, shtoi ai, “nuk do të jetë viktimë e luftës speciale që orkestrohet nga agjentë të jashtëm”./Ibna/