Haradinaj: Takimi i Parisit është më serioz, do jetë takim dypalësh ndërmjet Kosovës e Serbisë

Haradinaj: Takimi i Parisit është më serioz, do jetë takim dypalësh ndërmjet Kosovës e Serbisë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të takojë liderët e Kosovës dhe Serbisë më datën 1 korrik.  Në këtë takim do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se, takimi i Parisit është më serioz pasi që do jetë takim dypalësh ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Idetë e kaluara dhe të gjitha ato kanë shtyrë që të ndërrohet formati, pra pikërisht ato diskutime për territore dhe kufij kanë bërë që të largohet dialogu nga formati i mëparshëm dhe të kalohet nga ky format. Nuk po them nga kush e te kush, mendoj që ato tashmë i kalojnë të kaluarës”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai ka theksoi se “kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, kane nxitur një diskutim informal mbi rifillimin e dialogut dhe i kane kërkuar me shume durim jo ta heqë taksen, po thjesht te japë pëlqimin qe taksa te pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj, duke u zotuar që të hyjnë ne procesin e dialogut Kosove-Serbi ata vete”.
Kryeministri kosovar ka bërë të ditur se ka refuzuar heqjen e tarifave me zotimin se nuk hynë në dialog me kushte të vendosura nga Serbia.
Bisedimet për pajtim dhe normalizim të marrëdhënëve mes Serbisë dhe Kosovës u pezulluan në nëntor të vitit të kaluar pas reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Beogradi kërkon heqjen e tyre si kusht për rifillimin e bisedimeve, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë kryeministrin Haradinaj për një gjë të tillë./Ibna/