Haradinaj sot niset për në Hagë

Haradinaj sot niset për në Hagë
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar se sot do të niset për në Hagë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të premten nga pozita që ka pasi ka marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Gjatë ditës së hënë ai përmes një letre i ka njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e tij.
Dorëheqja e tij u ka hapur rrugën zgjedhjeve të jashtëzakonshme, një mundësi kjo që po mbështetet nga të gjitha partitë politike në pushtet dhe opozitë, të cilat tashmë kanë filluar edhe përgatitjet për këtë proces.
Formimi i Gjykatës Speciale ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2011, i cili ka konstatuar se ka prova të mjaftueshme për të nisur hetime kundër disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dyshohet se kanë kryer krime kundër serbëve dhe disa shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Gjykata Speciale do t’i trajtojë krimet e supozuara që përfshijnë periudhën janar 1998 – dhjetor 2000./Ibna/