Haradinaj sot do të intervistohet në Hagë

Haradinaj sot do të intervistohet në Hagë
 Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndodhet në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria e Posaçme, që është një nga dy dhomat e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Kjo është hera e dytë që zoti Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqje nga ky post më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.
Të premten e kaluar ai paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme, meqë, siç tha, nuk dëshironte të çonte në Hagë shefin e qeverisë.
Prokuroria Speciale, nga janari i këtij viti, ka intervistuar dhjetëra ish-luftëtarë, por Haradinaj paraqet zyrtarin më të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës që do të merret në pyetje nga hetuesit.
Ngjashëm është edhe rasti i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i UÇK-së, i cili po ashtu do të intervistohet sot.
Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015, ndërsa Gjykata u bë plotësisht funksionale në korrik të 2017-ës/ Ibna/