Haradinaj: Shqiptarët dhe serbët janë fqinjë e kjo s’ka si të ndryshojë

Haradinaj: Shqiptarët dhe serbët janë fqinjë e kjo s’ka si të ndryshojë
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj sot ka marrë pjesë në një tryezë diskutimi e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, ku u diskutua për dialogun Kosovë – Serbi.
Haradinaj ka thënë se Kosova është shtëpia e të gjithë neve, edhe e të gjitha partive politike, atyre në pushtet dhe opozitë.
“Mos të harrojmë që ne jemi Evropë, Kosova është Evropë si identitet, unë jam shqiptar qashtu më ka fal Zoti por shteti im tash është Kosova edhe një serb që është i Kosovës ai shtet e ka Kosovën. Të gjithë mundemi me  pas vërejtje në atdheun tonë, flamuri i Kosovës nuk është i shqiptarëve por i gjithë atyre që jetojnë në Kosovë”, deklaroi Haradinaj.
Ai ka theksuar se shqiptarët dhe serbët janë fqinjë e kjo s’ka si të ndryshojë.
“Ne jemi fqinjë shqiptarët dhe serbët nuk kemi qysh me e zgjedh s’ka si ndryshon kjo do të jemi këtu gjithherë për njëri-tjetrin, dy fqinj munden me zgjedh a me jetu në paqe a në telashe, e vërteta është se e kaluara është telashe”, ka thënë kryeministri.
Sipas tij, Kosova është e interesuar për paqe në mënyrë që të kalojë në ardhmi edhe pse e kaluara nuk mund të harrohet asnjëherë.
“Unë shkojë në Krushë, e në Mehë e në Suharekë e kudo tjetër, prej këtyre përvjetorëve të masakrave unë shkoj në Berlin pa asnjë kusht për dialog. Të gjithë familjarët e të vrarëve ankohen që nuk e din ku i kanë trupat e tyre. Ne vazhdojmë pa kushte ndërsa serbët na qesin kushte për të dialoguar me Serbinë”, është shprehur i pari i qeverisë.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet i pranishëm në këtë tryeze tha se Samiti i Berlinit e ka konfirmuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim dhe integrim në Bashkimin Evropian.
Lebet ka theksuar se ndryshimi i kufijve nuk funksionon dhe nuk ka funksionuar asnjëherë në histori.
“Nëse lëvizim kufijtë, arsyet e konfliktit nuk do të zgjidhen veçanërisht në Ballkan, mund të futeni në telashe. E dyta, kur marrëveshjet bëhen me detyrim edhe zgjidhjet e shpejta janë jostabile. Pra duhet kohë për të arritur marrëveshje. Dhe e treta, procesi duhet të jetë gjithpërfshirës dhe transparent”, ka deklaruar Lebet. /Ibna/