Haradinaj: Nuk ka bisedime me Serbinë pa një kornizë me marrëveshje për njohje reciproke

Haradinaj: Nuk ka bisedime me Serbinë pa një kornizë me marrëveshje për njohje reciproke
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha të martën se Kosova nuk do të ulet më në tryezën e bisedimeve me Serbinë pa një kornizë marrëveshje për njohje të ndërsjellë në kufijtë ekzistues.
Ai kritikoi Serbinë dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, për hezitim për ta përfshirë këtë parim në një kuadër të marrëveshjes së mundshme.
“Kjo po i bie që po na këshillojnë të blejmë ‘mistrala” (sistem raketor francez). Serbinë po e armatosin me ‘Mistral’. Për shembull, Serbia po shkon po blen armë në Rusi. Edhe Franca bëri një kontratë me Serbinë për sisteme raketore e neve po na thuhet nuk mund t’i vendosim emër marrëveshjes që është njohja reciproke në kufijtë ekzistues. Mirë çfarë të bëjmë ne pra? Ne jemi shtet i pavarur, ne nuk kërkojmë asgjë në dialog pos njohjes reciproke, nëse nuk jeni gati për këtë, është porosi për ne që të armatosemi, pra nuk ka shumë hapësirë këtu në mes, kërkesa në këtë rast e kryetarit të qeverisë ose e Kosovës është shumë bazike nuk ulemi në tavolinë më pa një kornizë marrëveshje që ka emrin njohja reciproke në kufijtë ekzistues, pra nuk kemi pse të ulemi”, tha kryeministri Haradinaj.
Ai tha se roli i Francës dhe presidentit Macron po rritet dhe një angazhim i tillë “mund ta kthej Serbinë në tavolinë edhe pa u larguar tarifa, pra mund ta kthejë dhe shpresoj që do të jetë kështu”.
Haradinaj i cilësoi si këshilla të mira thirrjet e presidentit Macron për kompromis mes palëve.
Presidenti serb, Vuçiç, tha ndërkaq në Beograd se presidenti Macron e kupton “peshën e problemit kur flitet për Kosovën dhe se gjërat nuk mund të zgjidhen asisoj që asnjëra palë të mos lëshojë pe në asgjë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, përmbylli vizitën dyditëshe në Beograd, duke paralajmëruar një nismë të re për ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha gjatë qëndrimit në Beograd se do të organizojë një takim në Paris ndërmjet palëve bashkë me kancelaren gjermane Angeka Merkle, dy javë pasi që një nismë e tillë e të dy udhëheqësve të lartë evropian, dështoi për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të palëve.
Serbia kushtëzon vazhdimin e bisedimeve të pezulluara që nga nëntori i vitit të kaluar me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që i vendosi qeveria e Kosovës, në përgjigje të sic është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se pret që në muajin shtator të organizohet një takim në Paris, ngjashëm me atë që ishte planifikuar të mbahej më 1 korrik./Ibna/