Haradinaj në takim me zyrtarët gjermanë: Marrëveshja me Serbinë veç në kufijtë ekzistues

Haradinaj në takim me zyrtarët gjermanë: Marrëveshja me Serbinë veç në kufijtë ekzistues
Kryeministri i Kosoëvs, Ramush Haradinaj, pas takimit të parë që pati në Berlin ka bërë të ditur se është diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi e për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në kufijtë ekzistues.
“Gjatë vizitës zyrtare në Berlin, pata një mëngjes pune me anëtarët e Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen. Me deputetët gjermanë biseduam për zhvillimet e gjithëmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kam shprehur qëndrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, deklaroi Haradinaj.
Tutje, ai ka bërë të ditur se kanë diskutuar edhe për vizat dhe qëndrimin e Gjermanisë karshi këtij procesi.
“Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv. Roli i shtetit gjerman ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit tonë dhe aktualisht jemi në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë!”, theksoi kryeministri kosovar.
Ndryshe, sot gjatë ditës i pari i Qeverisë do të takohet edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel./Ibna/