Haradinaj :Në Paris udhëtojmë për ta kërkuar njohjen nga Serbia

Haradinaj :Në Paris udhëtojmë për ta kërkuar njohjen nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke thënë se pozicioni i Kosovës pas këtij takimi është shumë më i fortë.

Ai ka treguar se Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut, ndërkohë ka treguar se me Merkelin ka diskutuar për temën e taksës, por thotë që nuk i është kërkuar heqja dhe se ai vendim do të mbetet.

“E drejta jonë me lëvizë lirshëm. Po ashtu, edhe dialogu Kosovë-Serbi. Ajo që mund ta them. Jemi seriozisht të interesuar për dialog. Taksa nuk hiqet. Nuk është kërkuar heqja. Është biseduar për të në kontekstin e dialogut, por ajo nuk hiqet”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se kërkesa e tij e hapur në Berlin, ka qenë që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ta ketë në agjendë Kosovën.

“Kosova e meriton rrugën euroatlantike. Koha i është dhënë Kosovës sot, e dëshmon që agjenda e Kosovës ka zënë vend. Është një respekt i Gjermanisë dhe kancelares për Kosovën. Proceset janë në një nivel më të mirë, se sa para këtij takimi. Kosova është në një pozicion më të fortë, se sa para një ore. Unë e kam falënderuar pozicionin e Gjermanisë, sepse e kanë kryer punën e vet (për liberalizimin e vizave)”, ka shtuar Haradinaj.

Sa u përket vizave, ai thotë se duhet lobuar që të futet në agjendë, sepse votimin në Këshill të Evropës nuk e sheh si problematik./Ibna/