Haradinaj: Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon

Haradinaj: Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon
Kosova ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Kështu u shpreh sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas një takimi me ministrin e Financave, Bedri Hamza, dhe ekipin e Zyrës së Kryeministrit.
“Në vizitat në terren çdo ditë po vërejmë rritje të prodhimit dhe eksportit dhe është në interes primar të vendit që t’i evidentojmë dhe shfrytëzojmë të gjitha resurset tona, për t’i avancuar këto parametra ekonomik”, deklaroi Haradinaj.
Ai sërish ka potencuar se viti 2019 është viti i ekonomisë dhe se do të ndërmerren akoma reforma në fushën e politikave fiskale.
“Rezultatet në ekonomi janë pasoj e infrastrukturës ligjore dhe lehtësirave fiskale.  Kemi liruar nga tatimi shumë linja prodhuese. Po shohim ti zgjerojmë reformat  në të mirë të rritjes ekonomike, gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies tonë”,  u shpreh kryeministri kosovar.
Ekonomia e Kosovës përbën një ekonomi të re dhe dinamike. Baza e saj është transformuar nga një ekonomi centraliste, e dirigjuar,  në një ekonomi të hapur të tregut.
Qëllim  në vete tashmë është rritja e konkurrencës së kësaj ekonomie, duke rritur kapacitetin e saj eksportues për të zvogëluar deficitin tregtar.
Si vend i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit, Kosova ofron një sërë përparësish komparative siç janë: popullsia e re dhe mjaftë mirë e kualifikuar, resurset natyrore, kushtet e volitshme klimatike, infrastruktura e re, politika fiskale me taksat më të ulëta tatimore në rajon, pozita gjeografike me qasje në tregun rajonal të CEFTA-së dhe në atë të Bashkimit Evropian.
Kosova përveç se është anëtare e CEFTA-së,  në qershor të vitit  2009 është anëtarësuar edhe në FMN (Fondi Monetare Ndërkombëtar) dhe BB (Banka Botërore) dhe aspiron në mekanizma tjerë të fuqishëm ekonomiko-financiar si Organizata botërore e Tregtisë OBT. /Ibna/