Haradinaj: Kosova e përkushtuar për raporte të mira me fqinjët

Haradinaj: Kosova e përkushtuar për raporte të mira me fqinjët

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, takoi sot Emisaren e Veçantë për Ballkanin Perëndimor nga Ministria e Jashtme e Çekisë, Janina Hrebickova, me të cilën kanë biseduar për zhvillimet në vend, rajon e më gjerë.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar Emisaren Hrebickova  për përkrahjen dhënë shtetit të Kosovës, për  proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po përballet vendi.

Kryeministri Haradinaj po ashtu shpalosi prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjendën evropiane, me theks të veçantë forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se Kosova është e përkushtuar në përmbylljen e një marrëveshjeje finale, që siç e potencoi ai, nënkupton dialog me njohje reciproke, marrëdhënie dypalëshe dhe për raporte të mira ndërfqinjësore.

Ndërkaq, Emisarja e Veçantë për Ballkanin Perëndimor nga Ministria e Jashtme e Çekisë, Janina Hrebickova shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Çekisë në përkrahjen e mëtejme të Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe proceset rajonale. /Ibna/