Haradinaj e shkarkon ministrin serb Teodosijevic

Haradinaj e shkarkon ministrin serb Teodosijevic

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë sot vendim për shkarkimin e ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijevic.

Haradinaj ka njoftuar se vendimin e ka marrë pas gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe NATOs nga Teodosijevic.

Ministri serb kishte deklaruar më herët  se NATO kishte bërë gjenocid mbi serbët dhe se masakra Reçakut ishte një histori e trilluar.

“Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet”, ka shkruar Ramush Haradinaj.

Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, ka deklaruar Haradinaj.

Ditë më parë, kryeministri ka shkarkuar edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pikërisht për shkak të qëndrimit të saj rreth bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës./Ibna/