Haradinaj: Banka Botërore nuk po e thotë të vërtetën

Haradinaj: Banka Botërore nuk po e thotë të vërtetën
 Banka Botërore tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2019 pritet të rritet me 4.4 për qind, e nxitur kryesisht nga investimet publike dhe private.
Ky përfundim është pjesë e një raporti mbi Evropën Juglindore, ku bëhet thirrje për përshpejtim të reformave në mënyrë që rritja aktuale të krijojë më shumë vende pune.
Sipas raportit, investimet kapitale pritet ta mbajnë rritjen ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti. Por, sfidë mbetet hyrja e madhe e të rinjve në tregun e punës dhe shpenzimet e larta publike, që nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur sa duhet papunësinë e lartë kronike.
Marco Mantovanelli, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, tha se me gjithë rritjen e lartë ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës është ngadalësuar dhe kjo sipas tij, po ndodh në tërë rajonin.
“Prandaj rritja ekonomike nuk po krijon vende të mjaftueshme pune dhe ne e dimë se ky rajon dhe Kosova posaçërisht kanë nevojë për rritje ekonomike që krijon vende të punës”,tha ai.
Haradinaj duke komentuar të dhënat e publikuara nga banka Botërore, thotë se nuk janë humbur vende të punës, por janë shtuar në Kosovë.
“Me bankën Botërore kemi disa shpërputhje, por shpresojmë në arritjen e marrëveshjeve për projekte të ndryshme”, tha Haradinaj.
Banka Botërore u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të zvogëlojnë rreziqet e mundshme nga paqëndrueshmëria ekonomike botërore pas përplasjeve ndërmjet vendeve kryesore në çështjet e tregtisë.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet së në mënyrë që të drejtpeshohen rreziqet, Kosova duhet të zbatojë reformat që do të mundësonin krijimin e vendeve të reja të punës dhe krijimin e mbulesës fiskale në rast të ndonjë krize eventuale ekonomike./Ibna/