Hap pas hapi, ratifikimi i Protokollit për anëtarësim në NATO

Hap pas hapi, ratifikimi i Protokollit për anëtarësim në NATO

Parlamenti i Republikës së Bullgarisë sot e ratifikoi Protokollin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Për ratifikimin votuan 140 deputetë, ndërsa kundër dhe të përmbajtur nuk pati.

Me këtë bëhen katër shtete nga 29 që kanë ratifikuar këtë dokument për anëtarësimin e vendit në Aleancë. Greqia, Shqipëria, Sllovenia dhe sot Bullgaria janë katër vendet e para që e kanë bërë këtë hap.  Në radhë tashmë është Danimarka, pasi që Qeveria e këtij vendi dje bëri të ditur se do të dërgojë në Kuvend propozimin për ratifikimin e Protokollit.

Xhaferi: Deri në fund të vitit do të përmbyllet procesi

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi i cili është i pranishëm në Kuvendet e vendeve që po ratifikojnë protokollin shpreson se deri në fund të vitit, protokolli do të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.

“Shpresojmë që deri në fund të vitit, protokolli për anëtarësim në NATO i cili javën e kaluar u nënshkrua në Bruksel nga ambasadorët e 29 vendeve anëtare, do të ratifikohet në të gjithë 29 parlamentet dhe pas kësaj neve të bëhemi vendi i 30 i NATO-s me të gjitha drejtat dhe obligimet që i ka çdo vend anëtar i NATO-s”, nënvizon Xhaferi.

Edhe ministri i jashtëm Nikola Dimitrov është optimist se edhe më shpejt do të mbyllet procesi i ratifikimit.

“Zakonisht, procesi i ratifikimit zgjat një vit, pra, kjo është një lloj kornize. Por në rastin tonë shpresoj të përfundojë edhe më pak se një vit” theksoi ministri Dimitrov.

Firmosja e Protollit hapi rrugën

Ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin thotë se me nënshkrimin e Protokollit, vendi ka marrë një pozicion të rëndësishëm gjeopolitik.

“Kjo është me rëndësi për stabilitetin e vendit tonë dhe rajonit, për shkak se me këtë groposet përfundimisht [ështja e hapur maqedonase, që gjatë shekujve të kaluar ishte interesante për shumkënd”, thotë Ruzhin, duke pritur që procesi i ratifikimit në parlamentet e vendeve anëtare të përmbyllet brenda këtij viti.

Njëzet e nëntë vendet anëtare të Aleancës Veriatlantike më 6 shkurt  në selinë e organizatës firmosën protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Me këtë iu hap rruga vendit për të marrë pjesë në të gjitha formatet kyçe të Aleancës, por pa të drejtë vote. Po ashtu deri para anëtarësimit nuk i lejohet pjesëmarrja në takimet më të besueshme dhe më të ndjeshme, derisa t’i fitojë njohuritë dhe përvojën e nevojshme./IBNA