Hahn: Në maj, rekomandim pozitiv Shqipërisë për çeljen e negociatave

Hahn: Në maj, rekomandim pozitiv  Shqipërisë për çeljen e negociatave

Komisioni Europian pritet që gjatë muajit maj të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një fakt të tillë e ka bërë dje me dije Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, gjatë punimeve të Komitetit Parlamentar të Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme. Një takim ky i vlerësuar si i rëndësisë së veçantë, pasi ishte i fundit që zhvillohej përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian. “Në Komision, në fund të majit do të prezantojmë progres-raportet për vendet e rajonit (Ballkani Perëndimor), plus Turqinë. Pres, që mbi bazat e asaj që kemi parë, të bëjmë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, ka qenë deklarata konkrete e Hahn për vendin tonë. Duke shtuar këtu se“Bashkimi Europian duhet të fokusohet në perspektivën afatgjatë të vendeve kandidate”. Mesa duket, pavarësisht situatës politike, të rënduar së fundmi në Shqipëri, Komisioni Europian vlerëson se progresi i realizuar është i qëndrueshëm. “Në Ballkanin Perëndimor është bërë një progres shumë i rëndësishëm. Në afatgjatë, kur shohim arritjet, është e vërtetë që ka edhe hapa pas. Por vërejmë progres shumë të rëndësishëm në ekonomi, në sundimin e ligjit apo në procesin e ripajtimit”, theksoi euro-komisioneri për zgjerimin. Në këtë kuadër, duke folur për rëndësinë strategjike të rajonit tonë, Hahn pranoi se “në Ballkan, eksportojmë apo importojmë destabilitet”. “Arsyeja përse kjo ndodh është sepse niveli ekonomik i rajonit është ndjeshëm më i ulët se ai i Bashkimit Europian. Dhe rritja e nivelit ekonomik, për të reduktuar këto disbalanca, është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Unionit”, shtoi ai.Duke përfunduar se duhen nxitur sa më shumë biznesmenë që të investojnë në këto vende. “Të kemi më shumë tregti me ta, më shumë kompani, apo filiale në Ballkan”, theksoi Hahn.

POHIMI

 “Në Ballkan, më në fund është krijuar kultura e zgjidhjes së ngërçit me dialog”

“Më në fund është krijuar një kulturë për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut. Sa herë ka një ngërç, homologët përkatës bisedojnë mes tyre, diçka që ishte plotësisht e pamendueshme deri disa vite më parë”. Ky ka qenë një tjetër pohim i bërë dje nga komisioneri evropian për zgjerimin, Johannes Hahn, rreth rajonit tonë, i cilisipas tij së fundmi ka pasur disa ngërçe. Nga ana tjetër, ai theksoi se “në mënyrë që vendet e Ballkanit të mos distancohen nga perspektiva e tyre europiane, Bashkimi Europian duhet të përmbushë anga-zhimet e tij dhe të dalë përtej ndasive të brendshme, duke shpërblyer përpjekjet e vendeve përkatëse”.