Hahn dhe Reeker në Shkup, agjenda për dialogun politik dhe reformat

Hahn dhe Reeker në Shkup, agjenda për dialogun politik dhe reformat

Eurokomisari për zgjerim Johanes Hahn nesër vjen në Shkup në takime me kreun shtetëror dhe me liderë të partive politike.

Han do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Hristijan Mickoski.

Sipas agjendës zyrtare, do të bisedohet për reformat lidhur me eurointegrimin e vendit dhe pritjet që në vjeshtë të përcaktohet datë për fillimin e negociatave inkuadruese. Pritet të flitet edhe për ligjin e ri për prokurori publike me të cilin duhet të rregullohet statusi i ardhshëm i Prokurorisë Speciale, njoftuan autoritetet qeveritare në Shkup.

Një ditë më vonë për vizitë në vend duhet të vijë edhe ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker. Ai vjen në Shkup nga Athina ku pati takime me shefin e diplomacisë greke, Nikos Dendias, me përfaqësues të tjerë qeveritarë, si edhe me ish-kryeministrin Aleksis Cipras.

Në Shkup, sipas paralajmërimit të Departamentit shtetëror, Reeker do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë. Tema qendrore do të jenë çështjet bilaterale dhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. Ndihmësssekretari shtetëror i SHBA-së dhe Evropës dhe Euroazisë, do të bisedojë edhe me deputetë dhe me përfaqësues të opozitës./IBNA