Guvernatori i BSH prezanton në SHBA zhvillimet ekonomike të Shqipërisë

Guvernatori i BSH prezanton në SHBA zhvillimet ekonomike të Shqipërisë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington, SHBA.

Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i  përbashkët, ku veç Sejkos ishte dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Guvernatori Sejko tha sot se prezantoi në SHBA, zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Rritja ekonomike e vendit ka vazhduar trendin pozitiv të saj, mbështetur dhe nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë, tha Sejko. Ky stimul, shpjegoi ai, u bë nëpërmjet normave të ulëta të interesit dhe rezultoi i përshtatshëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik, stabilitetin e tregjeve dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

Ruajtja e nivelit të inflacionit në 3% mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë. Sejko u shpreh se sipas parashikimeve të BSH, inflacioni pritet të kthehet në objektiv brenda vitit 2020.

Duke u ndalur në zhvillimet e sektorit bankar, Sejko paraqiti masat e ndërmarra nga BSH për të garantuar një sektor bankar të qëndrueshëm, likuid dhe të mirëkapitalizuar. Aktualisht, ky sektor përshkoi një fazë ristrukturimi, me futjen e aktorëve të rinj dhe bashkimin e disa bankave.

Për z.Sejko, ristrukturimi i sektorit bankar është zhvillim pozitiv, i cili pritet të ndihmojë në rritjen e konkurrencës dhe krijimin e kushteve të nevojshme për nxitjen e ritmit të kreditimit në vend.

Ai konstaton edhe se në fund të 2018, bilancet e bankave u përmirësuan, veprimtaria bankare u zgjerua, niveli i kredive me probleme u reduktua, kreditimi vijoi trendin e tij rritës.

Sipas tij, të gjithë këta tregues kanë kontribuar në rritjen e mëtejshme të aftësisë së sektorit bankar për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit dhe për të përballuar rreziqet.