Guvernatori: Bankat janë të afta të përballojnë humbje apo goditje

Guvernatori: Bankat janë të afta    të përballojnë humbje apo goditje

Bankat private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri kanë kapital të mjaftueshëm dhe janë në gjendje të përballojnë situata financiare humbjesh apo goditjesh. Ato kanë në të njëjtën kohë edhe aftësi të lartë për të përballuar rreziqet e mundshme.

I këtij mendimi është shprehur dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa ka përfshirë këtu edhe rastin e grabitjes së fundit të 10 milionë eurove në Rinas si transferta bankash.

“Ajo që na shqetëson me shumë ne është përsëritja e këtyre ngjarjeve, ndikimi negativ në imazh, ndikim negativ psikologjik. Dhe sigurisht, nëse ngjarje të tilla do përsëriteshin shumë shpesh edhe ndikimi financiar do bëhej shumë problematik. Kjo do të kishte një kosto jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë shqiptare”, ka deklaruar ai.

Më tej, kreu i bankës qendrore shtoi se rreziku kryesor me të cilat përballen bankat në Shqipëri është ai i  kredisë. Por ka sqaruar se ky tregues po njeh përmirësim dhe se nuk ka vend për frikë.

“Në fund të vitit 2018, raporti i kredive me probleme shënoi nivelin prej 11.1% ,nga 13.2% një vit më parë. Kurse teprica e kredive me probleme u zvogëlua me nivelin prej 20%”, tha ai mes shifrash konkrete.

Nga ana tjetër, ai tha se për të ruajtur stabilitetin financiar, banka qendrore po synon të ngrejë sistemet e paralajmërimit të hershëm për rreziqet, që mund t’i paraqiten një banke private. Dhe kjo, me qëllimin e uljes së pasojave financiare të këtyre rreziqeve. Për këtë, sipas guvernatorit Sejko do të shërbejë ngritja e rezervave të duhura të kapitalit prej secilës prej bankave. “Gjithashtu, bankat do rrisin  transparencën mbi rreziqet për kreditë në valutë”, ka shtuar mes të tjerash shefi i BSH-së.

Mbiçmimi i kursit të këmbimit, ndikim në çmimet e konsumit

“Mbiçmimi i kursit të këmbimit ka qenë gjatë vitit të kaluar, një faktor frenues për arritjen e objektivit të inflacionit”. Kjo ka qenë një tjetër deklaratë, e cila u bë dje nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. E thënë më thjesht, vlerësimi i madh që pësoi vjet leku, përballë euros në tregun e këmbimit valutor ndikoi në luhatjen e çmimeve të konsumit në vend. Madje, Sejko pranoi edhe faktin se kursi i këmbimit ishte subjekt i disa goditjeve, që sipas tij, u shoqëruan madje edhe me ndryshimin e sjelljes së disa operatorëve ekonomikë. “Ata iniciuan një spirale të shpejtë, që u shoqërua me çrregullim të funksionimit të tregut të brendshëm valutor”, vlerësoi kreu i bankës qendrore.