Grupi parlamentar i PD vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare

Grupi parlamentar i PD vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare

Në Shqipëri, Grupi parlamentar i PD vendosi sot (e hënë) unanimisht djegien e mandateve parlamentare të kësaj partie në Kuvendin e dalë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Me vendimin e djegies së mandateve, grupi parlamentar mbështet zgjidhjen politike të ofruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, doli sot para gazetarëve për të shpallur vendimin.

Ai tha se djegia e mandateve erdhi “duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare, ku ndodhet vendi”.

Sipas Bashës, qeveria ka vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2017.

Po ashtu opozita evidenton dhe një numër problemesh të tjera, sipas saj:

Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale;

Të eliminimit të Parlamentit si një forum i demokracisë;

Të eliminimit të Gjykatës Kushtetuese;

Të kapjes totale të sistemit të drejtësisë;

Të paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës;

Të gjitha këto, tha Basha, kanë shkaktuar një situatë të paprecedentë të krizës ekonomike, të emigracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social;

PD ofron zgjidhjen politike duke krijuar një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare. /ibna/