Gjermania: Situata në veri të Kosovës është ende e ashpër

Gjermania: Situata në veri të Kosovës është ende e ashpër
Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka paralajmëruar qytetarët e saj të mos udhëtojnë në Zubin Potok, Leposaviq, Zveqan dhe veri të Mitrovicës sepse “situata është ende e ashpër”.
“Edhe pse dhuna nuk është e drejtuar tek të huajtë, nuk mund të përjashtohet mundësia e ndodhjes së ndonjë incid enti që kërcënojnë sigurinë dhe lëvizjen e lirë”, thuhet në porosinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së gjermane përkujtohet se më 16 janar 2018 “është vrarë politikani i njohur Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës”, për çka Ministia porosit shtetasit gjermanë që “para se të udhëtojnë në veri të Kosovës të njoftohen me situatën dhe që udhëtimin ta përgatisin me kujdes” dhe sipas mundësisë “gjatë udhëtimit të jenë të shoqëruar nga udhëheqës lokalë”.
MPJ gjermane ka theksuar se “situata në Serbi është përgjithësisht e qetë” por paralajmëron se të shtunën në Beograd dhe në qytete tjera mund të ketë protesta dhe demonstrata të organizuara, edhe pse shton se mbledhitë e deritashme të tilla “kanë qenë të qeta”.
“Serbia e trajton Kosovën si pjesë të shtetit të saj dhe jo si një shtet tjetër”, thuhet në vazhdim të paralajmërimit të MPJ-së gjermane për shtetasit e saj që planifikojnë të hyjnë në Serbi nga Kosova./Ibna/