Gazetarët pa kufij: Ngritje e lirisë së medies në Kosovë

Gazetarët pa kufij: Ngritje e lirisë së medies në Kosovë
Organizata “Gazetarët pa kufij”, me seli në Paris, vlerëson në raportin për lirinë e medies se urrejtja ndaj gazetarëve në nivel botëror është shndërruar në dhunë duke nxitur shtimin e frikës.
Në raportin që vlerëson shkallën e lirisë së medies në 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 75-të, tre vende më mirë sesa një vit me parë.
Në raport thuhet se “situata politike në Kosovë u bë më e tensionuar dhe me e paqëndrueshme në vitin 2018, si rezultat i afrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la qeverinë e Kosovës në një izolim diplomatik. Mungesa e transparencës së qeverisë mbi marrëdhëniet me Evropën, nxitën reagime të fuqishme të publikut dhe gazetarëve”.
Raporti thekson se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa qeveria ka akuzuar gazetarët se janë “tradhtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.
Në raport theksohet se “ndarjet etnike në Kosovë janë burim i problemeve mjaft shqetësuese për gazetarët e pakicës serbe. Mediet e këtij komuniteti janë shpesh shënjestër e sulmeve verbale, atyre kibernetike dhe fushatave të medieve pro qeveritare”.
Megjithatë, raporti thekson se “peizazhi media është relativisht pluralist – të paktën në shikim të parë – dhe shumë media kanë pronarë që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që siguron politika editoriale dhe opinione më të shumëllojshme”
Shqipëria vjet ishte në vendin e 75-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 82-të, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh.
Serbia në vendin e 90-të shënon një rënie prej 14 vendesh, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se “brenda pesë vjetëve të qeverisjes nga presidenti Aleksandër Vuçiç, Serbia është bërë një vend ku të bërit gazetari as nuk është i sigurt dhe as i mbështetur nga shteti”.
Maqedonia e Veriut është në vendin e 95-të duke shënuar ngritje nga një vit më parë kur radhitej e 109-ta
Mali i Zi ka renditjen më të keqe në rajon. Ai radhitet në vendin e 104-të.
Sipas raportit, 8 për qind e vendeve të botës vlerësohet të jenë në gjendje shumë të mirë, ndërsa 11 për qind në gjendjen më të rëndë./Ibna/