GAP: Kosova nuk ka përfituar nga tarifat ndaj Serbisë

GAP: Kosova nuk ka përfituar nga tarifat ndaj Serbisë
Në Kosovë Instituti për Studime të Avancuara, GAP, publikoi të dielën një studim sipas të cilit thuhet se ekonomia e Kosovës nuk ka përfituar nga vendosja e tarifave 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës.
Përfaqësues të këtij instituti thanë se këto tarifa në fakt po japin efekte negative në tregun e Kosovës.
Berat Thaqi nga ky instituti tha se në dy muajt e fundit kanë analizuar efektet ekonomike nga taksa, ku nuk kanë vërejtur rritje të ekonomisë së vendit.
“Kjo taksë e vendosur në nëntor nuk është hartuar mirë. Nuk kemi parë ndonjë përfitim të vendit. Ne e kemi shikuar edhe atë se a rrezikohet marrëveshja e CEFTA-së, dhe a ka mundësi Serbia të padis Kosovën. Kosova nuk e ka shkelur Marrëveshjen e CEFTA-së, sepse Serbia me themelimin e ushtrisë e ka kërcënuar Kosovën me luftë. Taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor.
Tek çmimet e prodhimeve e konsumit dhe pijeve kemi pasur rritje të shpejtuar. Me hyrjen në fuqi të taksës, shumë biznese i kanë rritur çmimet”, tha ai.
Ai po ashtu tha se Kosova duhet të kërkojë negocimin e marrëveshjes së CEFTA-së.
Ndërkaq, Blend Hyseni tha se shumica e kontrabandës me produktet nga vendet për të cilat është vendosur tarifa, po bëhet përmes vendeve të rajonit.
“Importi i përgjithshëm ka vazhduar të rritet. Vazhdojnë dyshimet se prodhimet e Bosnjës dhe Serbisë po vazhdojnë të hyjnë në Kosovë përmes vendeve rajonale. Nuk ka pasur një efekt në eksporte”, tha Hyseni.
Taksa e vendosur të nëntor të vitit të kaluar ka tensionuar raportet Kosovë-Serbi.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë./Ibna/