Fushata në javën e fundit, kandidatët në garë për të tërhequr sa më shumë vota në balotazh

Fushata në javën e fundit, kandidatët në garë për të tërhequr sa më shumë vota në balotazh

Fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale po hyn në javën e fundit. Stevo Pendarovski, kandidati i partive në pushtet dhe Gordana Siljanovska – Davkova, kandidate e opozitës maqedonase kanë planifikuar takimet e fundit me qytetarët deri ditën e premte, kur në mesnatë hyn heshtja zgjedhore.

Pendarovski dhe Siljanovska – Davkova janë në garë për të tërhequr votuesit e papërcaktuar dhe për të nxitur që të dalin në votime edhe ata qytetarë që nuk votuan në raundin e parë, apo ata që votuan për kandidatin e partive shqiptare, Blerim Reka, i cili mori 80 mijë vota.

Porosia e kandidatit Pendarovski është integrimi i vendit në BE dhe NATO, sepse sipas tij rruga e kundërt është izolimi dhe bllokimi i vendit.

 “Kundërkandidatja ime është kundër Marrëveshjes së Ohrit, kundër Ligjit për gjuhët dhe kundër Marrëveshjes së Prespës. Paramendoni se si do të jetë dhe cili do të jetë vendimi parë nëse atyre u jepet shansi për të ardhur në pushtet”, theksoi Pendarovski.

Por Siljanovska- Davkova thotë se ajo bazohet në vullnetin e qytetarëve shumicë, që është shprehur përmes referendumit, që rezultoi kundër Marrëveshjes së Prespës.  Ajo thotë se do të respektojë procedurat kushtetuese dhe institucionale për të gjetur mundësinë për revidimin e Marrëveshjes së Prespës.

“Po u drejtohemi të gjitha etniteteve, sepse pa ato nuk mund të ketë demokraci, sepse Maqedonia është atdheu i të gjithëve. Ne na duhet një shtet funksional europian, por jo me imponim të politikave”, nënvizoi Siljanovska – Davkova.  Të dielën më 5 maj të drejtë vote do të kenë 1.8 milionë banorë. Zgjedhjet do të jenë të suksesshme nëse do të dalin 40% nga numri i përgjithshëm i votuesve, por partite druajnë për mosarritjen e këtij cenzusi, pasi që një fluks i vogël prej 41% rezultoi në raundin e parë të zgjedhjeve më 21 prill. Partitë politike dhe bashkësia ndërkombëtare kanë bërë thirrje për dalje masive të qytetarëve për të zgjedhur presidentin e vendit dhe për të evituar krizë politike, pasi që janë paralajmëruar zgjedhje të parakohshme parlamentare, në rast se do të dështonin këto zgjedhje. /IBNA