Fundi i fushatës, Pendarovski dhe Siljanovska në garë të ngushtë

Fundi i fushatës, Pendarovski dhe Siljanovska në garë të ngushtë

Kandidatët për presidentin e pestë të shtetit, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova, i shfrytëzojnë orët e fundit për t’i bindur qytetarët që më 5 maj ta japin votën  për programet e tyre. Edhe të dy kandidatët presin se do të fitojnë të dielën, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi që diferenca mes tyre në raundin e parë ishte vetëm 4 mijë vota.

Pendarovski si kandidat i koalicionit qeverisës tha se  mbështetja për të do të thotë perspektivë më të mirë për të gjithë, aderim të sigurt në Evropë, vazhdim të reformave dhe rruga e përbashkët drejt përparimit, zhvillimit dhe integrimit në NATO.

Kundërkandidatja e tij Siljanovska-Davkova e mbështetur nga opozita maqedonase tha se synimi I saj kryesor është sundimi i të drejtës dhe pret që shteti  të reformohet në çdo pikëpamje. Ajo ka përsëritur nevojën për revidimin e Marrëveshjes së Prespës.

Kandidati i cili me ta mori pjesë në raundin e parë, Blerim Reka tha se 80 mijë votuesit që e mbështetën në raundin e pare kanë të drejtën e tyre për të vendosur se a do të votojnë ose jo më 5 maj. Por ai megjithatë bëri thirrje për dalje në votime për të mos rrezikuar procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE.

Bashkimi Demokratik për Integrim  (BDI) ka bërë thirrje direkte që të votohet kandidati I përbashkët Pendarovski. ” Të dalim më 5 maj dhe ta mbështesim kandidatin pro-evropian drejt NATO-s dhe BE-së”, theksoi kreu i kësaj partie Ali Ahmeti.

Heshtja zgjedhore do të fillojë në mesnatë. Gjatë heshtjes 24-orëshe do të votojnë të burgosurit, të sëmurët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe diaspora. Të dielën të drejtë vote do të kenë 1.808.131 qytetarë të regjistruar në Listën Zgjedhore./IBNA