Fotografia e publikuar nga Flora Brovina nxitë reagime në Kosovë e Serbi

Fotografia e publikuar nga Flora Brovina nxitë reagime në Kosovë e Serbi
Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar Rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.
Gjatë kësaj seance, deputetja e PDK-së, Flora Brovina ka publikuar një foto trishtuese, ku sipas saj shihen disa ushtarë serb duke dhunuar një femër shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Fotografia nxiti reagime të shumta për faktin se disa media pretenduan se e njëjta nuk është shkrepur gjatë luftës së fundit në Kosovë, por është nxjerrë nga një film i huaj pornografik.
Politikanë dhe analistë të shumtë në Prishtinë akuzuan deputeten dhe aktivisten e të drejtave të njeriut se mund të jetë manipuluar nga shërbimet sekrete serbe.
Deputetja Brovina ka reaguar duke theksuar se fotografia që e ka publikuar është e vërtetë dhe vetëm ajo e di ku ka ndodhur rasti .
“Më vjen keq për këtë lajm sepse fare nuk është i vërtetë. Unë e di ku ka ndodhë edhe kush ma ka dhënë. Jo nuk kërkoj falje se ngjarja është e vërtetë”.
“Unë e njoh familjen, unë e njoh edhe personin e dhunuar. Unë kam marrë leje për ta publikuar. Unë nuk e di se si është përdorur nga disa filma pornografik të Irakut”.
Ajo dyshon se mund të ketë, siç tha, ndonjë manipulim dhe se ai film i fotografive është marrë nga xhiruesi serb.
Zonja Brovina sot pritet të japë deklaratë në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë e Shtetit, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli do të takohet sot me krerët e sigurisë dhe hetuesisë.
Veseli ka thënë se do të kërkojë zbardhjen e plotë të këtij rasti. Ndaj këtij rasti kanë reaguar edhe mediat serbe, duke mos hezituar të shkruanin “shqiptarët me instalim monstruoz ndaj serbëve”./Ibna/