FMN: Klima e biznesit, duhen reforma të reja

FMN: Klima e biznesit, duhen reforma të reja

Shqipëria duhet të kryejë një varg reformash të reja, të cilat të mund të përmirësojnë klimën e biznesit në vend. Porosia vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili kreu një mision të dytë monitorimi në vendin tonë.

FMN bashkohet në këtë mënyrë me deklaratat e vazhdueshme të biznesit shqiptar e të huaj që operon në Shqipëri, se klima e biznesit ka nevojë për t’u përmirësuar me hapa konkrete nga qeveria.

“Ruajtja e ritmit të rritjes në periudhën afatmesme kërkon reforma për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i zvogëluar pikat e dobëta. Risqet më kryesore vijnë nga borxhi i lartë publik, nga dobësitë në financat publike dhe nga pengesat për ndërmjetësimin financiar. Ndër prioritetet për politikat përfshihen konsolidimi i mëtejshëm fiskal nëpërmjet politikave tatimore të hartuara mirë, administrimi më i mirë i investimeve publike dhe masa të kujdesshme në mbështetje të kredive për investimet e sektorit privat”, – thuhet në deklaratën përmbyllëse të FMN.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), vizitoi Tiranën 10 ditët e fundit, nën drejtimin e Jan Kees Martijn, për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të dytë Pas Programit (MPP). Procesi i MPP-së është instrument mbikëqyrjeje të rregullt në ato vende që kanë një nivel kredie të pashlyer të FMN-së, në mbi 200 për qind të kuotës. Misionet e MPP-së kanë fokus të veçantë te pikat e dobëta dhe risqet për aftësinë ripaguese kundrejt FMN-së. Në përfundim të vizitës, misioni doli me këtë deklaratë:

Deklarata përmbyllëse përshkruan konstatimet paraprake të ekipit të FMN-së pas vizitës në vend. Mbështetur në konstatimet paraprake të këtij misioni, stafi do të përgatisë një raport i cili, në varësi të aprovimit nga instancat drejtuese, do t’i paraqitet Bordit Ekzekutiv të FMN-së për diskutim dhe vendimmarrje.

Në një përmbledhje që FMN publikoi dje, tha se “perspektiva ekonomike afatmesme e Shqipërisë është përgjithësisht e favorshme, edhe pse rritja pritet të jetë e moderuar në vitin 2019”. Por FMN vlerëson se “ruajtja e ritmit të rritjes në periudhën afatmesme kërkon reforma për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i zvogëluar pikat e dobëta.”.

Sipas saj, risqet më kryesore vijnë nga borxhi i lartë publik, nga dobësitë në financat publike dhe nga pengesat për ndërmjetësimin financiar.

Ndër prioritetet për politikat përfshihen konsolidimi i mëtejshëm fiskal nëpërmjet politikave tatimore të hartuara mirë, administrimi më i mirë i investimeve publike dhe masa të kujdesshme në mbështetje të kredive për investimet e sektorit privat.

FMN kërkon nga qeveria shqiptare, “kufizimin e risqeve fiskale dhe krijimin e amortizuesve fiskalë që kërkon konsolidim të mëtejshëm fiskal nëpërmjet përpjekjeve të qëndrueshme në anën e të ardhurave dhe fuqizimit të institucioneve buxhetore”.

Në këtë kuadër, FMN i kërkon qeverisë të “shfrytëzojë mjedisin e favorshëm ekonomik për ta përmirësuar pozicionin fiskal nëpërmjet fuqizimit të bazës së të ardhurave fiskale”.

Për FMN i rëndësishëm është dhe fuqizimi i sistemit tatimor. Kjo sipas FMN arrihet “nëpërmjet anulimit të masave që e fragmentojnë dhe dobësojnë bazën tatimore dhe nëpërmjet nivelimit të fushës së lojës për bizneset”.

Nga ana tjetër, nevojitet veprim i menjëhershëm për të kufizuar detyrimet e prapambetura të sektorit publik. “Këto detyrime të prapambetura e cenojnë klimën e biznesit dhe

besimin në qeveri. I nxisim autoritetet të sigurojnë shlyerje të plotë dhe në afat të çdo kërkese të re të miratuar për rimbursim TVSH-je, duke i mos i lidhur rimbursimet me me flukset përkatëse të të ardhurave tatimore”, – thuhet në qëndrimin e FMN.

“Rritja pritet të moderohet në 2019, por do të vijojë të jetë afër nivelit 4 për qind në periudhën afatmesme”

Rritja ekonomike do të vazhdojë, por me tkurrje

Në raportin e përgatitur, FMN konstaton se perspektiva ekonomike është përgjithësisht e favorshme. Rritja pritet të moderohet në 2019, por do të vijojë të jetë afër nivelit 4 për qind në periudhën afatmesme. Këtë vit, rritja parashikohet të ngadalësohet në 3,5 për qind, për shkak të efektit bazë të prodhimit rekord të energjisë elektrike në vitin 2018 dhe ngadalësimit në vendet partnere.

Në periudhën afatmesme, veprimtaria pritet të nxitet nga një përshpejtim i rritjes në BE, rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, fuqizimi gradual i eksporteve përfshirë turizmin dhe investimet e nevojshme për ta mbyllur hendekun e madh infrastrukturor në Shqipëri. Megjithatë, zhvillimi i qëndrueshëm varet edhe nga përmirësimet në qeverisjen ekonomike, përfshirë në fushën e shtetit ligjor dhe në luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë që inflacioni mbetet ndjeshëm nën objektivin prej 3 për qind, politika monetare duhet të vijojë të jetë shumë akomoduese. Pritet që inflacioni të konvergojë ngadalë drejt objektivit të vendosur, me ngushtimin e hendekut të prodhimit dhe rimëkëmbjen e inflacionit të Eurozonës.

Por ka risqe të rëndësishme që anojnë për nga ana rënëse. Shqipëria është ndjeshëm e ekspozuar ndaj risqeve në rritje në BE, sidomos në partnerët e saj kryesorë tregtarë.

Në frontin e brendshëm dobësitë janë kryesisht në sektorin publik. Ndërkohë që deficiti fiskal ka rënë gjatë vitit 2018, ai parashikohet që ai të rritet në 2.5 për qind të PBB-së në vitin 2019 (përfshirë dorëzanitë për kreditë e reja për sektorin energjetik prej 0.4 për qind e PBB-së).

Ky zgjerim nxitet pjesërisht nga shlyerja e planifikuar e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, çka në vetvete është diçka e mirëpritur. Por kjo rritje e deficitit vjen edhe nga masat tatimore të fundit që e zvogëlojnë bazën tatimore, e cila edhe më parë ka qenë e ngushtë, dhe që parashikojnë trajtim preferencial për të tjerë sektorë shtesë, përfshirë këtu uljen e shkallës së TVSH-së dhe shkallës së tatimit mbi fitimin. Për më tepër, ekzistojnë risqet e mosrealizimit të mëtejshëm të planit të të ardhurave dhe humbjeve të pritshme në sektorin energjetik për shkak të rënies së prodhimit nga hidrocentralet.

Shqetësimi

Borxhi publik vazhdon të jetë i lartë

Pavarësisht nga rënia gjatë viteve të fundit, borxhi publik vazhdon të jetë i lartë, në rreth 69.9 për qind të PBB-së (përfshirë detyrimet e prapambetura) në fund të 2018 dhe parashikohet të zbresë në 66.3 për qind në fund të këtij viti. Në nivelin aktual të borxhit publik dhe të deficitit, politika fiskale ka shumë pak hapësirë për të përballuar apo kompensuar tronditje negative. Gjithashtu, risqet fiskale janë rritur edhe nga rritja e detyrimeve të kushtëzuara, siç janë ato që lidhen me partneritetet publike-private (PPP).

Megithatë FMN vlerëson se risqet ndaj aftësisë së Shqipërisë për ta shlyer kredinë duken të kufizuara.

Edhe pse nevojat për financim bruto janë mjaft të larta për shkak të afatit të maturimit relativisht të shkurtër të borxhit publik, shërbimi i borxhit, përfshirë edhe borxhin e FMN-së, pritet të mbetet brenda aftësisë së Shqipërisë për ta shlyer. Kredia për t’u shlyer ndaj FMN-së qe sa 2,8 për qind e PBB-së në fund të vitit 2018. Edhe historiku i mirë në shlyerje të kredive dhe stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë sugjerojnë se risqet e shlyerjes janë të kufizuara.