FMN i jep “shuplakë” qeverisë për taksat

FMN i jep “shuplakë” qeverisë për taksat

RAPORTI

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka renditur dje një listë me kritika ndaj sistemit tatimor shqiptar: Të ardhura në rënie; ngushtim i bazës tatimore dhe ndërlikim i administrimit të taksave; ulje e pragut të TVSH-së me ndikim të vogël në të ardhurat; rimbursime të vonuara të TVSH-së, etj

Është përpjekur të modernizohet dhe të kryejë reforma, por

sistemi tatimor në Shqipëri ende nuk po i sjell buxhetit të shtetit aq pará sa duhen. Kjo qëndron në thelb të një raporti që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar rreth ecurisë së tij. “Të ardhurat kanë rënë vazhdimisht sipas parashikimeve të buxhetit. Duke ushtruar presion, veçanërisht në shtyrjen e pagesës së rimbursimeve të TVSH-së”, pohon ky raport. Ai shton se gjatë 10 viteve të fundit, të ardhurat tatimore kanë qenë më pak se plani, sa 1.5% e PBB-së. “Mungesat ndaj buxhetit kanë vazhduar në vitet e fundit. Ato i atribuohen kryesisht parashikimeve jorealiste”, sqarojnë më tej ekspertët e FMN-së.

E thënë më thjesht, gjithmonë qeveria ka parashikuar në fillim të vitit që tatimet t’i sigurojnë më shumë pará, por në fund të tij, ato kanë qenë gjithmonë më pak. Dhe sipas FMN-së, mangësitë më të mëdha kanë qenë në mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, tatimit mbi të ardhurat, taksën e qarkullimit, si edhe taksat e karburantit”. “Kthimi i TVSH-së ishte -16% më pak se parashikimi për vitin 2017. Kurse rimbursimet e TVSH-së u shtynë për disa projekte të mëdhenj infrastrukturore”, sqarojnë gjithashtu ekspertët e FMN-së. Nga ana tjetër, sipas tij, reformat e fundit e kanë ngushtuar bazën tatimore dhe e kanë ndërlikuar administrimin e taksave. Prandaj, FMN rekomandon që të nisë sa më parë zbatimi i një programi, i cili duhet të nisë së pari mbledhjen e borxheve që bizneset u kanë tatimeve.

“Ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël pati ndikim të vogël tek të ardhurat”

Ajo u trumbetua nga qeveria si një masë, e cila përveçse do ta disiplinonte biznesin, do t’i sillte edhe më shumë pará arkës së shtetit. Por ja që nuk ka ndodhur kështu. Ulja e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për një kategori të biznesit të vogël, rezultoi se doli nga të tilla parashikime. Dhe këtë e konfirmon vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Ulja e pragut të TVSH solli rreth 13.000 biznese të vogla në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që nga prilli i vitit 2018, por me një ndikim të vogël në të ardhura”, cilësojnë ekspertët e tij.

Apeli: Të mos ekzagjerohen pritshmëritë për pará nga tatimpaguesit e mëdhenj

“Rëndësia e të ardhurave nga tatimpaguesit më të mëdhenj të Shqipërisë, nuk mund të ekzagjerohet nga qeveria”. Ky është një tjetër apel që ekspertët e FMN-së u bëjnë autoriteteve shqiptare. Duke shtuar se kjo lloj kategorie ka risqet e veta në të bërit biznes, ndaj nuk mund të varen shpresat për të mbledhur pará, kryesisht tek ata. “Kriteret për identifikimin e tatimpaguesve të mëdhenj duhet të rishikohen. Aktualisht  janë të regjistruar 680 subjekte, ndërsa 125 janë joaktive”, shton FMN.