Fitorja e Micotakis, shumë të panjohura në raport me Maqedoninë e Veriut?!

Fitorja e Micotakis, shumë të panjohura në raport me Maqedoninë e Veriut?!

Fitorja e Demokracisë së Re në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Greqi është një nga kryelajmet e mediave në Maqedoninë e Veriut. Fokusi i debatit  po zhvillohet rreth asaj se kryeministri i ri Micotakis si do të veprojë me Marrëveshjen e Prespës, e arritur nga Tsipras – Zaev, që e zgjodhi kontestin disavjeçar mes Athinës dhe Shkupit.

Ish-ambasadori dhe rektori i Universitetit FON në Shkup, Nano Ruzin mendon se nuk duhet të ketë ndryshime radikale në raportet midis dy vendeve.

“Përveç përplasjeve të vogla nuk besoj se Micotakis do të shkojë në variantin radikal. Përkundrazi jam i bindur se edhe me këtë Qeveri në Greqi, kryeministri Zoran Zaev do të mund të mbajë marrëdhënie korrekte dhe të vazhdojë fqinjësinë e mire…”, theksoi Ruzin.

Drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane, Simonida Kacarska ka vlerësuar se Qeveria e re në Greqi sigurisht se do të ndjek politikën e deritanishme rreth kësaj çështje.

“Nga ajo që kemi ndjekur deri tani nuk pritet që Demokracia e Re drejtpërdrejt do të kontestojë marrëveshjen, por megjithatë do të varet se si do të jetë fushëveprimi i saj”, nënvizoi Kacarska.

Opinionistja Vlera Gjakova nënvizon se roli kyç i Micotakis do të jetë edhe në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Demokracia e Re ilustronte një nacionalizëm në retorikën e saj dhe është përqëndruar në rritjen ekonomike dhe sigurinë; por gjithashtu duke kundërshtuar fort “Marrëveshjen e Prespës”Mitsotakis disa herë e ka cekur qëndrimin e tij se ai do të vërë veton ndaj një përpjekjeje të Maqedonisë Veriore për të hyrë në Bashkimin Evropian nëse vjen në pushtet.”, nënvizon Vlera Gjakova. Fitorja e Demokracisë së Re pritet të nxis edhe reagime dhe mesazhe urimi nga personalitetet politike dhe shtetërore në Shkup./IBNA