Evitohet kriza humanitare në Veri të Kosovës

Evitohet kriza humanitare në Veri të Kosovës
Shoqata e afaristëve serbë në veriun e Kosovës, tha se të mërkurën do të rihapen dyqanet që qëndruan të mbyllura për dy ditë në atë zonë.
Mbyllja e dyqaneve ishte pjesë e protestës ndaj tarifave prej 100 për qind, që qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërvënieje ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Në një njoftim të shoqatës së afaristëve serbë thuhet se “protesta paralajmëruese dëshmoi fuqinë, bashkimin dhe gatishmërinë për luftën e serbëve në veriun e Kosovës. Dëshmuam fuqinë dhe bashkimin që nuk mund të na thyejnë dhe nuk do të durojmë që të qëllojnë dhe të sulmojnë ata që bëjnë furnizimin me mallra jetike”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se çdo përpjekje e mëtejshme e Prishtinës do të përballet me përgjigje edem ë të fuqishme.
“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që përfundimisht të kuptojr situatën dramatike dhe të reagojë për të qetësuar Prishtinën, para se të ndodhë ndonjë incident që mund t’i sjellë hesapet në pikën pa kthim”, thuhet në njoftim.
Autoritetet në Serbi dhe përfaqësuesit lokal serb në veriun e Kosovës, thonë se tarifat dhe operacionet e policisë së Kosovës për të mbyllur rrugët alternative përtej vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që të mungojnë mallrat themelore siç janë mielli dhe prodhimet e qumështit dhe se veriu është në “prag të krizës humanitare”.
Qeveria e Kosovës shpërndau kamionë me mallra në veri për të mbushur boshllëkun e krijuar nga protesta, por përfaqësuesit e serbëve thanë se askush nuk ka blerë prej tyre./Ibna/