Epik: Ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë është e gabuar

Epik: Ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë është e gabuar
Në Kosovë Instituti Evropian për Politika (EPIK), vlerësoi të hënën se idetë për prekjen e kufijve e kanë larguar nga binarët kushtetues procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente u bënë gjatë paraqitjes së një studimi rreth “Kuadrit Kushtetues të Procesit të bisedimeve”.
Gjatë një diskutimi rreth kësaj çështjeje u tha se idetë për kufijtë duhet përjashtuar për shkak se ato cenojnë drejtpërdrejtë sovranitetin e Kosovës.
Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK tha se duhet t’i bëhet e ditur Serbisë se çdo marrëveshje për korrigjim territoresh është e papranueshme.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se korrigjimi i kufijve nuk zgjidhë asgjë dhe komplikon marrëdhëniet mes popujve.
Ai ka shtuar se duhet të ofrohet një zgjidhje e cila nuk bazohet në gjymtimin territorial.
“Copëtimi, jo vetëm që nuk do të zgjidhte asgjë, por siç e tregon historia kjo komplikon më shumë marrëdhëniet në mes të popujve duke u dhënë marrëdhënieve të tilla dimensionin e problemeve afatgjate. Në vend të kësaj, duhet të promovohet dhe ofrohet një zgjidhje evropiane, që nuk bazohet në gjymtimin territorial por në sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve”, ka thënë ai.
Analisti politik, Belul Beqaj, në procesin e bisedimeve me Serbinë faktori politik në Kosovë duhet të jetë i unifikuar.
“Kemi çakordim të liderëve, presidenti që tenton ta imponojë vullnetin politik dhe kjo është një pengesë serioze politike. Sikur ideja për ndarjen të ishte e mbështetur nga sovrani dhe unitetiti i faktorit ndërkombëtarë, qe aktualisht nuk ekziston, atëherë përfaqësuesit do të kishin bazë për të negociuar edhe territorin”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se kërkesë e tyre ka qenë që në dialogun me Serbinë, Kuvendi të ketë rol qendrorë.
Ajo thotë se në vazhdimësi kanë kërkuar konsensus të gjerë, duke parë qe shumica e marrëveshjeve të kaluara nuk ishin zbatuar, si dhe nevojën për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vendit./Ibna/