Engel: BE-ja të reagojë pozitivisht kur Kosova përmbush detyrimet e saj

Engel: BE-ja të reagojë pozitivisht kur Kosova përmbush detyrimet e saj

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, tha të martën në Bruksel se është frustruese që Kosova nuk fitoi liberalizimin e vizave, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të reagojë pozitivisht kur Kosova përmbush detyrimet e saj.

“Një nga çështjet ishte shënimi i vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe Kosova duhej të përfshihej në regjimin e udhëtimit pa viza, por kjo ende nuk ka ndodhur. Kjo është frustruese. Kur Kosova të shohë përgjigje pozitive në kërkesat ndaj saj, atëherë nuk do të ketë probleme”, tha ligjvënësi Engel i cili ishte pjesë e një delegacioni dypartiak të Kongresit amerikan që mori pjesë të martën në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ligjvënësi Engel tha se njohja e ndërsjellë duhet të jetë në thelb të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i bërë thirrje qeverisë serbe të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.

“Nuk mundet Serbia të mbajë Kosovën jashtë INTERPOL-it, jashtë UNESCO-s dhe të përpiqet të nxisë vendet tjera të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk është e drejtë. Duhet vullnet i mire tek të dyja palët. Do të dëshiroja të shihja edhe Serbinë edhe Kosovën si anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ai./Ibna/