Ekspertët: Literatura shkollore në frymën e Marrëveshjes së Prespës

Ekspertët: Literatura shkollore në frymën e Marrëveshjes së Prespës

Ekspertë të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë në takimin e dytë të komitetit të përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës të zhvilluar gjatë fundjavës në Shkup janë fokusuar në programet mësimore dhe literaturën shkollore. Sipas komunikatës së përbashkët, palët janë dakorduar që këto materiale të jenë në frymën e Marrëveshjes së Prespës. “Gjeneratat e reja të të dyja vendeve dhe të rajonit duhet të edukohen në frymën e vlerave evropiane dhe mirëbesimit ndërfqinjësor”, nënvizon komunikata.  

Ministria e Jashtme tha se delegacionet kanë zhvilluar debat thelbësor dhe kanë miratuar planin e punës për të tejkaluar dallimet dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkët në bazë të parimeve dhe qëllimeve të UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës.

Më 12 dhe 13 prill të këtij viti është caktuar që takimi i radhës të zhvillohet në Athinë, ku bëjnë pjesë ekspertë nga të dyja vendet për të tejkaluar dallimet në sferën e historisë, arkeologjisë dhe arsim./IBNA