Ekonomia do rritet më pak se më parë, BB: Ka një pasiguri më të lartë politike

Ekonomia do rritet më pak se më parë,  BB: Ka një pasiguri më të lartë politike

Ekonomia shqiptare do të vazhdojë rritje dhe gjatë viteve të ardhshme, por më ngadalë se tani. Në këtë dukuri duket se do ndikojë edhe pasiguria e krijuar nga zhvillimet e fundit politike në vend. Këtë e kanë konfirmuar dje përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore, teksa kanë prezantuar raportin e fundit për vendet e Ballkanit  Perëndimor.

“Në disa vende, pakënaqësia publike është në rritje, çka mund të çojë në pasiguri më të lartë politike dhe ngadalësim të ritmit të reformave strukturore. Pasiguria e politikave ose përmbysja e tyre do të shuante të gjitha arritjet e fituara me vështirësi, veçanërisht në aspektin fiskal”, ka pohuar Maryam Salim, menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. Duke shtuar se perspektiva e ekonomisë shqiptare në vijim do të mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme, por edhe ndaj atyre të brendshme. “Qëndrueshmëria e mëtejshme e rritjes do të kërkonte një ritëm më të shpejtë reformash strukturore dhe progresi për hyrjen në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ajo. Sipas saj, “duhen bërë përpjekje për të zbutur rreziqet fiskale dhe përshpejtuar reformat në sektorin e energjisë në mënyrë që të mbrohet qëndrueshmëria fiskale”. “Përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimit të ligjit mbeten prioritete”, ishin disa porosi të tjera që ajo la për ekonominë vendase. Ndërkaq, rrezikun e ndikimit në ekonomi të zhvillimeve politike e ka pohuar edhe një tjetër përfaqësuese e Bankës Botërore. “Pasiguria politike dhe vonesat në zbatimin e reformave strukturore mund të dëmtojnë si klimën e biznesit, ashtu edhe perspektivën e vendit në Bashkimin Evropian, të cilat duhet të jenë një ndër prioritetet e vendit”, ka pohuar lidhur me një fakt të tillë, ekonomistja Hilda Shijaku.

Cilat janë rreziqet konkrete për ekonominë?

Ekspertët: Fiskale, klimaterike dhe politike

Cilat janë rreziqet konkrete që i paraqiten ekonomisë shqiptare? Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, njëri prej tyre është ai që ka lidhje me taksat. “Nga pikëpamja fiskale përmend rreziqet që vijnë nga aktivitetet jashtë bilancit, të cilat nëse nuk menaxhohen në mënyrën e duhur, mund të cënojnë konsolidimin fiskal”, tha ekspertja Hilda Shijaku. Sikundër përmendi edhe rrezikun e ndryshimeve klimaterike në vend, duke nënkuptuar këtu problemet që mund të lindin nga blerja e më shumë energjie, në kushtet e thatësirës. “Një tjetër dobësi e brendshme është edhe sektori financiar”, shtoi ajo, duke nënkuptuar se ai po gjendet në vështirësi. Pa lënë mënjanë edhe faktorët politikë, pasiguria rreth të cilëve sipas saj, paraqet ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë vendase. “Përsa i përket perspektivës për të ardhmen, në tre vitet e ardhshme ekonomia e Shqipërisë mendohet se do të rritet më ngadalë se në vitin 2018 për disa faktorë”, konfirmoi mes të tjerash ekspertja në fjalë.

Shifrat, rritja ekonomike e vendit do të bjerë deri në nivelin prej 3.6%

Ekonomia shqiptare do të rritet më pak për dy vitet në vazhdim, duke rënë deri në nivelin prej 3.6% vitin e ardhshëm. Ndërsa për sivjet, Banka Botërore i ka dhënë asaj parashikimin e një rritjeje në nivelin prej 3.8%, teksa vjet ky tregues ka qenë deri 4%. E duke konfirmuar kështu një trend rënës në vijim të saj, i cili qëndron edhe në thelb të raportit të fundit të Bankës Botërore, që u publikua dje për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të kenë rritje më të shpejtë gjatë kësaj periudhe, ndërsa në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi rritja ekonomike pritet të ngadalësohet”, cilëson gjithashtu BB-ja.