Edhe pse të izoluar, kosovarët festojnë ditën e Evropës

Edhe pse të izoluar, kosovarët festojnë ditën e Evropës
Edhe pse pa një perspektivë të qartë për integrim në familjen evropiane, Kosova është vendi i vetëm në rajon dhe Evropë që feston ditën e 9 majit.
Madje kjo ditë është festë zyrtare e planifikuar edhe me Kushtetutë, sikurse që janë edhe festat tjera kombëtare.
Pavarësisht se qytetarët e Kosovës janë populli më i izoluar në rajon, për ata Evropa vazhdon të mbetet sinonim i lirisë, demokracisë, humanizmit dhe vlerave klasike, kulturore e politike.
Zëvendës-shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Riccardo Seri, thotë se manifestimi i Ditës së Evropës është i rëndësishëm për ta, sidomos këtë vit, kur edhe do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Ai bëri të ditur se këtë vitë festa e 9 maji do të shënohet duke theksuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Ne duam të vëmë në pah sa i rëndësishëm është zhvillimi ekonomik dhe në këtë aspekt, e ndihmojmë edhe Kosovën. Pra, ekonomia do të jetë fokusi i aktivitetit tonë për një muaj e gjysmë deri më 20 qershor dhe fushata do të quhet ‘Le të flasim për ekonomi”, ka thënë Riccardo Seri – Zv.shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Njohësit e çështjeve evropiane thonë për IBNA se Kosova duke festuar nuk mund të arrijë ndonjë rezultat apo progres drejtë BE-së.
Profesori i së drejtës evropiane, Llokman Murtezani thekson se institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë sepse nuk mjafton vetëm dëshira dhe simbolika për tu bërë pjesë e BE-së.
“Realisht Bashkimi Evropian akoma ka në qëndrim neutral nga pavarësisë së Kosovës. Madje disa nga shtetet anëtare akoma nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Ne jemi vendi i vetëm në rajon që nuk kemi marr liberalizimin e vizave. Prandaj cfarë po festojmë, dështimet tona. Mendoj se nuk është momenti dhe koha për të festuar, por duhet të angazhohemi në kryerjen e detyrave të përcaktuara nga Brukseli zyrtarë”, shprehet Murtezani për IBNA.
Më 9 Maj të vitit 1950 ish ministri i jashtëm francez Robert Schuman shpalli për herë të parë idenë e tij të bashkimit të industrive të thëngjillit dhe çelikut në mes të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës, gjë që dërgoi në themelimin e Komunitetit Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut. Ky ishte institucioni i parë i asaj që më vonë mori formën e Komunitetit Ekonomik Evropian, që evoluoi pastaj në Bashkimin Evropian.
Por kjo ditë e ka edhe një rëndësi tjetër, atë të fitores mbi fashizmin në Evropë. Është dita e kapitullimit përfundimtar të Rajhut Nazist, dhe dita e çlirimit të popujve të Evropës nga shtypja fashiste e militariste e Boshtit. /Ibna/