Drejtori i Përgjithshëm i TIA flet për nismën takenbyalbania.com

Drejtori i Përgjithshëm i TIA flet për nismën takenbyalbania.com

Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Rolf Castro-Vasquez, për takenbyalbania.com

Çfarë ju pëlqen më shumë në lidhje me udhëtimin, punën dhe jetesën tuaj në Shqipëri? Ju lutem na flisni pak në lidhje me këtë dhe përse ju pëlqen.

Këtu ka shumë gjëra të bukura. Por së pari, më duhet të them puna ime. Tashmë u bënë shumë vite që punoj në Tiranë, por unë vazhdoj ende ta dua, ashtu si ditën e parë: mjedisin e punës, të gjithë stafin që është absolutisht fantastik dhe ndihem vërtet krenar të them se jap kontributin tim në lidhje me këtë, çdo ditë.

Si ndodhi që arritët të zbulonit Shqipërinë?

Tashmë u bënë 14 vjet që jetoj në Shqipëri. U bëra pjesë e Tirana International Airport si një anëtar ekzekutiv i stafit të kompanisë, por nuk mendoja se do të qëndroja këtu për një kohë kaq të gjatë. Jam i lumtur për këtë; E konsideroj Shqipërinë si pjesë të jetës sime dhe pjesë të zhvillimit tim si një i huaj, për të cilin ky vend është një shtëpi e dytë.

Cila është gjëja më befasuese dhe pozitive që keni zbuluar për Shqipërinë?

Do të thoja njerëzit. Kur vjen në një vend të ri gjithmonë mendon se si do të pritesh nga të tjerët, apo se si është kultura e atij vendi. Në Shqipëri, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe miqësorë, pikërisht e kundërta e asaj që mendon mesatarja europiane.

Çfarë lloj udhëtari jeni: turist gastronomik, aventurier, admirues plazhi?

Mund të më konsideroni tip aventurier. Adhuroj të ngas motoçikletën time, dhe të udhëtoj me të për ditë të tëra, duke eksploruar dhe gjetur vende të reja. Nuk mund të përshkruaj me fjalë adrenalinën dhe ndjesinë e mrekullueshme që të japin këto gjëra.

Cili është ushqimi juaj i preferuar shqiptar dhe pse?

Pa diskutim do të thoja Fërgesë Tirane. Është shumë e veçantë, e përgatitur me perime, me djathë të freskët dhe domate të mrekullueshme nga Shqipëria. Ky gatim kaq i shijshëm nuk mund të gjendet në asnjë vend tjetër.

Nga të gjitha vendet që keni vizituar në Shqipëri, cili prej tyre është më mbresëlënësi apo më i bukuri? Dhe pse iu ka lënë mbresa?

Shqipëria ka shumë vende të veçanta. Por do të thoja se Parku Kombëtar i Valbonës më goditi sapo e pashë: ujëvarat, vetë lumi; gjithçka është vërtet mahnitëse. Gjithashtu, Riviera Shqiptare në jug të vendit: është fantastike; Padyshim qe do ia rekomandoja kujtdo. Të gjitha plazhet atje janë të mrekullueshëm.

Disa njerëz mendojnë se Shqipëria është një vend i pasigurt për të udhëtuar. Çfarë do t’u thonit atyre në mënyrë që të ndryshonin këtë perceptim?

Unë do t’u këshilloja të mos flasin para se ta shohin me sytë e tyre. Nisur nga përvoja ime këtu në Shqipëri, mund t’u siguroj se është krejt e kundërta. Vendi është i sigurt, si dhe mikpritja e njerëzve është thjesht e mahnitshme. Do të ftoja këdo që të vinte në Shqipëri për të eksploruar thesaret e saj: para së gjithash bukuritë e natyrës së saj, si dhe trashëgiminë e pasur kulturore, dhe duke mos lënë mënjanë edhe aspektin ekonomik, pasi Shqipëria ka shumë për t’u ofruar investitorëve të huaj.